Lidhje

Klinton, përparësi zhvillimit dhe ndihmës së huaj


Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, në një fjalim në Uashington tha se administrata e Presidentit Obama ka si qëllim t’i japë zhvillimit dhe ndihmës së huaj të njëjtën përparësi si diplomacisë dhe fuqisë ushtarake në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Ajo thotë gjithashtu se forcimi i pozitës së gruas në gjithë botën nuk është vetëm një përparësi personale për të, por edhe në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara.

Megjithëse zonja Klinton ka folur shpesh për ndihmën e huaj amerikane, fjalimi i djeshëm ishte i pari që i përkushtohej tërësisht kësaj teme.

Duke folur në Institutin Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare, Sekretarja e Shtetit tha se është koha që zhvillimi të kthehet në një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme.

“Ne nuk nund të ndalim terrorizmin ose të mposhtim ideologjitë e ekstremizmit të dhunshëm kur qindra miliona të rinj shohin një të ardhme pa punë, pa shpresë dhe asnjë rrugë për të arritur nivelin e botës së zhvilluar. Ne nuk mund të ndërtojmë një ekonomi globale të qëndrueshme kur qindra milionë punëtorë dhe familje e shohin veten në anën e gabuar të globalizimit, të lënë jashtë tregjeve dhe teknologjive moderne”.

Administrata e Presidentit Obama ka premtuar të dyfishojë buxhetin për ndihmën e huaj jo-ushtarake në 50 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2012 dhe fjalimi i zonjës Klinton nuk përmbante angazhime të reja.

Por ajo tha se Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar do të kthehet në agjencinë kryesore të ndihmave në botë.

Ajo tha gjithashtu se komuniteti i ndihmave amerikane duhet të përmirësojë strategjitë që të sigurohet se programet do të realizojnë një ndryshim të qëndrueshëm në vendet të cilave u jepet ndihma.

“Në vende që janë inkubatorë të ekstremizmit si Jemeni, ose që janë pllakosur nga varfëria dhe katastrofat natyrore si Haiti, shanset nuk janë të shumta. Por kostoja e pasivitetit është shumë më e madhe. Duhet ta pranojmë që modeli ynë i zhvillimit nuk mund të jetë i ngurtë, ajo që funksionon në Pakistan, mund të mos funksionojë në Peru. Kështuqë ne duhet t’i shikojmë rastet të veçuara, në varësi të vendit dhe rajoneve”.

Zonja Klinton vlerësoi dy nga nismat e administratës së Presidentit Bush: Korporata Sfida e Mijëvjeçarit, që u jep grante vendeve me plane konkrete për qeverisje të mirë dhe Pepfar, programi i Sidës që ka siguruar mjekime anti-virale për miliona njerëz, kryesisht në Afrikë.

Ajo tha gjithashtu se gratë duhet të zënë një vend qendror në planet amerikane për zhvillim.

“Nuk është vetëm interes strategjik i Shteteve të Bashkuara, është një çështje që ka shumë kuptim dhe rëndësi personale për mua, për të cilën unë kam punuar pothuajse për katër dekada. Unë nuk pranoj fjalë pa vepra kur flitet për përparimin e gruas. Do t’i mbaj agjencitë tona përgjegjëse që të sigurojnë mbështetjen e qeverisë dhe politikës sonë të jashtme për gratë e botës dhe për të arritur rezultate të qëndrueshme dhe thelbësore për këto çështje”.

Zonja Klinton tha se po përpiqet të integrojë përpjekjet amerikane të ndihmave më shumë me diplomacinë dhe operacionet e mbrojtjes pa e politizuar çështjen e ndihmës. Ajo tha se zhvillimi, diplomacia dhe mbrojtja duhet të përforcojnë njëra-tjetrën. //ii

XS
SM
MD
LG