Lidhje

Rruga e Serbisë drejt antarësimit në Bashkimit Evropian


Serbia ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andre de Nesnera i hedh një vështrim procesit me të cilën do të ballafaqohet Beogradi drejt rrugës për anëtarësim në BE.

Bashkimi Evropian ka 27 anëtarë dhe Serbia është vendi i fundit i cili ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim.

Damian Çalmers nga London School of Economics thotë se secili vend i cili aspiron të bëhet anëtarë i BE-së duhet të përmbush një seri kriteresh.

“Së pari duhet të përmbushet kriteri ligjor apo të bëhet harmonizimi i ligjeve vendore në përputhje me ligjet e BE-s ku lista e këtyre ligjeve përfshin një vëllim nga 70 mijë deri në 80 mijë faqe. Së dyti duhet të përmbushet kriteri ekonomik ku vendi duhet të ketë ekonomi tregu e cila mund të përballojë konkurrencën nga vendet e tjera anëtare të BE-s dhe të ketë inflacion të ulët. Së treti duhet të përmbushet kriteri politik; kjo nënkupton që vendi duhet të ketë demokraci të qëndrueshme, sundim të ligjit, të zbatojë traktatet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veçanërisht ligjet të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e pakicave.”

Tomas Valasek i Qendrës Evropiane për Reformë me bazë në Londër, thotë se kërkesa e Serbisë për anëtarësim vjen në kohë të vështira.

“Situata e Serbisë nuk është favorizuese edhe nga fakti që shumë anëtarë të BE-së kanë shfaqur mosinteresim për zgjerim të metejshëm. Disa prej tyre, veçanërisht anëtarët më të hershëm të BE-së, ndajnë mendimin se BE-ja tashmë ka pranuar mjaft anëtarë dhe atë për një kohë shumë të shpejtë. Ato mendojnë se BE-ja ka nevojë për një periudhë pushimi para se të nxitojë drejt një zgjerimi tjetër. Megjithatë, BE-ja është e angazhuar që në të ardhmen të përfshijë edhe Ballkanin perendimor. Por shumë nga vendet anëtare të BE-s mund ta vonojnë procesin e anëtarësimit pasi ato nuk kanë deshirë të lejojnë anëtarësimin e tanishëm të vendeve të tjera.”

Analistët thonë se Serbia ballafaqohet me një numër sfidash drejt rrugës së saj për anëtarësim në BE. Një ndër sfidat më të mëdha, thotë Valasek, është fakti që ish gjenerali serb i Bosnjes Ratko Mladiç, i akuzuar për krime lufte dhe gjenocid, ende ndodhet në arrati.

“Është e vështirë të imagjinohet se si Serbia do të mund të anëtarësohej në se Ratko Mladiç nuk është arrestuar. Disa nga vendet anëtare të BE-s si Hollanda, por edhe Britania, do të këmbëngulin që Ratko Mladiç të gjendet para se Serbia të anëtarësohet në BE”.

Valasek thotë se Serbia ka bashkëpunuar në të kaluarën me Gjykatën e Hagës duke arrestuar dhe dorëzuar udhëheqësin serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç një vit e gjysëm më parë. Po ashtu ajo ka dorëzuar ish udhëheqësin serb Slobodan Milosheviç i cili vdiq ndërkohë që po gjykohej në Hagë.

Një pengesë tjetër është statusi i Kosovës pasi në shkurt të vitit të kaluar Kosova e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Beogradi ende e konsideron Kosovën si një nga provincat e saj.

Damian Çalmers nga London School of Economics thotë:

“Çështja e Kosovës është që edhe pse një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka vende të cilat nuk e kanë njohur atë. Por unë mendoj se prirjet janë në favor të vendeve të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se në një pikë të caktuar unë mendoj se do të bëhet presion ndaj serbëve të njohin shtetin e ri të Kosovës.”

Tomas Valasek ka mendim tjetër.

“BE nuk është në pozitë t’i kërkojë Serbisë që të njohë ose mos të njohë pavarësinë e Kosovës si një kusht për anëtarësim të saj në BE për një arsye të thjeshtë pasi anëtarët e tanishëm të BE-s kanë dallime për këtë çështje. Shumë nga ato e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por disa si Spanja, Rumania, Sllovakia, ashtu si Serbia, nuk e kanë njohur atë. Pasi anëtarët e tanishëm të BE-s kanë pozita të ndryshme ndaj kësaj çështje, BE-ja nuk mund t’i kërkojë Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës para se ajo të anëtarësohet në BE”.

Analistët thonë se Serbia do të ballafaqohet me një proces të vështirë dhe të gjatë drejt anëtarësimit në BE pasi ai mund të zgjatë nga pesë deri në tetë vjet, ose edhe më gjatë.

XS
SM
MD
LG