Lidhje

Kroacia mban sot raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale


Kroacia zhvillon sot raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, meqenëse nga zgjedhjet e muajit të kaluar nuk doli asnjë fitues. Balotazhi zhvillohet mes kanidatit social-demokrat, Ivo Josipoviç, dhe kryetarit popullor të bashkisë së Zagrebit, Milan Bandiç, i cili kandidon si i pavarur.

Zoti Josipoviç, i cili fitoi ndjeshëm ndaj 11 kandidatëve në raundin e parë të zgjedhjeve më 27 dhjetor, ka gëzuar mbështetje më të madhe në anketat e opinionit para balotazhit të sotëm përkundrejt rivalit të tij, kryetarit të bashkisë së Zagrebit, Milan Bandiç. Megjithatë, ky i fundit e ka shtuar mbështetjen, duke fituar përkrahjen e kishës së fuqishme katolike dhe shumë veteranëve të luftës, krahasuar me mbështetjen e akademikëve dhe njerëzve relativisht të pasur për rivalin e tij.

“Nuk kam asnjë dyshim se qytetarët e Kroacisë do të zgjedhin kandidatin më të mirë për president”, u tha gazetarëve zoti Bandiç.

Gjatë fushatës, zoti Bandiç e akuzoi rivalin e tij për kthim në komunizëm, mesazh që u drejtohet konservatorëve, që tradicionalisht ngurojnë të votojnë për kandidatë të majtë për shkak të së kaluarës së vendit si pjesë e Jugosllavisë. Nga ana e tij, zoti Josipoviç, platforma anti-korrupsion e të cilit tërhoqi shumë votues liberalë, e ka akuzuar zoti Bandiç për keqadministrim të Zagrebit, megjithëse deri më sot nuk janë ngritur akuza të tilla.

Zoti Bandiç, i cili u përjashtua nga partia social-demokrate sepse insistoi që të kandidonte, krenohet për rigjallërimin e shërbimeve publike të Zagrebit, madje thotë se do të punojë edhe më shumë nëse fiton.

“Është nder që mar pjesë në zgjedhjet presidenciale. Dua të falenderoj të gjithë rivalët e mi në raundin e parë të zgjedhjeve si edhe rivalin tim në balotazh, zotin Bandiç. Besoj se qytetarët kroatë do të zgjedhin kandidatin më të mirë,” u tha gazetarëve zoti Josipoviç pasi hodhi votën.

Fituesi do të zëvëndësojë reformatorin veteran, Stjepan Mesiç, mandati i dytë 5-vjeçar i të cilit përfundon në shkurt.

Qendrat e votimit mbyllen pas një ore dhe rezultatet e para zyrtare priten pas rreth 5 orësh.

XS
SM
MD
LG