Lidhje

Miqtë dhe të afërmit kujtojnë Elvis Preslin në 75 vjetorin e lindjes


Admiruesit e muzikës në mbarë botën kujtuan dje legjendarin Elvis Presley me rastin e 75 vjetorit të lindjes së tij. Ish bashkëshortja e Presleyt, Priscilla dhe vajza e tij Lisa Marie drejtuan një ceremoni të veçantë në Graceland, në vilën e tij Memphis të shtetit Tenesi. Çdo vit 600 mijë njerëz vizitojnë Gracelandin.

Në mes të viteve 1950, Elvis Presley luajti një muzikë të re, një gërshetim të muzikës kantri, ritëm dhe bluz me një stil të ri të rok and rollit. Ai lëvizte në skenë duke kopjuar lëvizjet e artistëve zezakë. Në fillim shumë njerëz nuk dinin çfarë të mendonin për të. Por nuk kaloi shumë kohë kur të rinjtë u tërbuan për muzikën e tij dhe vërshuan në koncertet e tij. Elvis u bë i njohur si mbreti i rok and rollit.

Bernard Lansky u takua me Elvisin kur ishte në shkollë të mesme. Lansky kishte një dyqan veshjesh në një lagje afrikano-amerikane me klube ku interpretonin këngëtarë zezakë. Elvis ndalonte dhe vështronte me kërshëri rrobat nga dritarja. Një ditë Lansky i kërkoi të hynte në dyqan.

"Më tha, tani nuk kam para por kur të bëhem i pasur do të ta blejë biznesin. I thashë, më bëj një nder, mos më bli biznesin por më bli mallin."

Elvis donte veshje që ta dallonin nga të tjerët. Lanksy i dha atij veshje me kredi. Shumë shpejt Elvis interpretoi në televizionin dhe u bë i famshëm.

Edhe George Klein e takoi Elvisin kur ishte adoleshente; ata u bënë menjëherë miq.

"Më mungon shumë Elvis dhe mendoj për të çdo ditë. Ishte miku më i mirë që kam patur ndonjëherë." - thotë ai

Klein ishte pjesë e një grupi të njohur si mafia e Memphisit që udhëtonte me Elvisin dhe i bënte shoqëri në shtëpinë e tij në Graceland. Elvis jetoi në atë shtëpi për 20 vjet deri sa vdiq. Dekori i viteve ’70 është një përzierje e stilit tradicional me atë modern.

George Klein thotë se Gracelandi ishte relaksues për Elvisin meqë ai nuk mund të shkonte askund pa u njohur. Ai thotë se bënin shumë mbrëmje me gratë që takonin.

"I ftonim në Graceland dhe luanim muzikë, shikonim televizor, ja kalonim mirë. Fillonim mbrëmjet në orën dhjetë deri në katër të mëngjesit."

Elvis fotografohej shpesh me gra nga biznesi i argëtimit. Por ato me të cilat kishte lidhje personale, shpesh nuk ishin pjesë e botës së argëtimit.

" I pëlqenin gra të zakonshme, të thjeshta dhe larg botës së famës."

Elvis dhe mësuesja e tij JoCathy Brownlee Elkington patën lidhje për disa muaj në vitin 1975. Në takimin e tyre të parë ai i bëri surprizë një makinë të re.

" Elvisi më tha. Zemër shpresoj të të pëlqejë. Është dhurata më e mirë që mund të bëja në 2 të mëngjesit." - thotë ajo

Me ndryshimin e muzikës rok në dekada, Elvis adaptoi krijimet e tij dhe çdo vit kishte të paktën një këngë në 40 hitet më të mira.

Elvis e shpalosi muzikën e tij në më shumë se 30 filma. George Klein thotë se megjithëse pati një karrierë të suksesshme kinematografike, Elvis donte të kishte role më të mirë.

"Në mes të karrierës ai u mërzit me filmat e tij. E pyesja, për çfarë është filmi i ri dhe më thoshte, e njëjta histori, vendi ndryshe. Rrah djalin, marr vajzën dhe këndoj 12 këngë."

JoCathy Brownlee Elkington thotë se pas gati 20 vjet famë, Elvis ende nuk i besohej që ishte aq i njohur.

"Më tha një herë, më duket e çuditshme që fjasin për mua. Nëse përmendje emrin e tij në pjesë të thella të Afrikës, njerëzit e dinin cili ishte ai."

Ish e dashura e tij e kujton atë si të ëmbël dhe të kujdesshëm. Por ajo kujton gjithashtu një njeri që mori shumë peshë dhe abuzonte me ilaçet.

"Ishte ose shumë mirë ose shumë i dëshpëruar. Kjo më trishtonte. Nuk e dije asnjëherë se në çfarë gjendje do të ishte."

Më 16 gusht të vitit 1977 Elvis Presley vdiq në Graceland në moshën 42 vjeçare. Ai u varros me kostumin e bardhë të qepur nga Bernard Lansky.

Gati gjysma e vizitorëve në Graceland janë nën moshën 35 vjeçare dhe as që kishin lindur kur vdiq Elvis Presley. Muzika e tij është ende shumë popullore në mbarë botën. Edhe pse do të ishte 75 vjeç po të ishte gjallë, për admiruesit e tij ai është gjithmonë i ri. //mm//

XS
SM
MD
LG