Lidhje

SHBA: Kriza ndërpret nivelin e zhvillimit në Florida


Kriza ekonomike po i detyron disa zona të Shteteve të Bashkuara që të tërhiqen nga planet ambicioze të rritjes. Në shtetin jugor të Floridës, popullsia ka rënë për herë të parë në mbi 60 vjet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brajën Vagner vizitoi disa komunitete në Florida ku rritja e kohëve të fundit ka shkaktuar shqetësime ekonomike.

Ekonomia e dobët ka shkaktuar një zbrazëti në Lihaj Ejkërs. Shtëpitë janë të braktisura në lagje që deri kohët e fundit ishin rritur. Punëtorët e ndërtimit dhe të tjerë në kërkim të strehimit të përballueshëm ndihmuan për ndërtimin e komunitetit pranë Tampës. Por tani punët janë të rralla.

Rei Najsli drejton organizatën bamirësie, Shërbimet e Komunitetit të Lelajt, dhe thotë:

“Ne vazhdojmë të presim deri në 50 – 60 vetë në ditë që vijnë të marrin ndihma ushqimore apo financiare. Ata janë ende pa punë”.

Bankat e ushqimit e mbështesin këtë shqetësim. Ata thonë se kërkesa për artikuj për të ndihmuar familjet në vështirësi po rritet.

Zonja Najsli thotë se shpreson për një rimëkëmbje ekonomike dhe hapje vendesh të reja pune. Por ajo shton se disa njerëz nuk po presin që Florida të marrë veten:

"Ka shumë njerëz që janë larguar që këtu sepse u është dashur të ikin që këtu për të gjetur punë. Dëgjojmë për njerëz që kanë shkuar në Teksas, për punë ndërtimi, në Tenesi, në Karolinën e Veriut”.

Për herë të parë që prej 63 vjetësh, popullsia e shtetit ka rënë. Ka 31 mijë vetë më pak. Më pak njerëz vijnë për të kërkuar punë apo për të kaluar pensionin dhe më shumë njerëz largohen.

Abraham Lavender është sociolog në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës. Ai thotë se shteti po përpiqet t’i bëjë ballë realitetit të ri:

“Florida është krijuar me idenë që do të vazhdonte gjithmonë të rritej dhe çdo gjë është planifikuar duke patur parasysh një gjë të tillë. Prandaj kur kjo rritje ngadalësohet, ose ndalet, apo edhe zmbrapset si tani, të gjitha planet ndryshojnë”.

Një burim kryesor për rritje në Florida ka qenë ardhja e pensionistëve nga pjesë të tjera të vendit. Tony Gazdecki dhe gruaja e tij u larguan nga Detroiti para më shumë se një dekade, kryesisht për të lënë pas dimrat e egër atje.

Gazdecki thotë se nuk ka ndër mend që të largohet nga komuniteti i pensionistëve, ku pjesën më të madhe të vitit ka diell. Por ai thotë se njeh disa njerëz që kanë ikur, përfshirë një nga fqinjët e tij.Agjentët imobiliarë thonë se pensionistët po ikin nga shteti, për shkak të rritjes së kostos dhe mbipopullimit. Të tjerë e kanë të vështirë thjesht të vijnë në Florida.

Marian Metz është agjente imobiliare në Venis, një nga destinacionet kryesore të pensionistëve. Ajo thotë se ka disa klientë që nuk po shesin dot shtëpitë në shtetet e veriut.

Zonja Metz thotë se biznesi është rritur kohët e fundit dhe shpreson që shteti do të rimëkëmbet. Rënia e çmimeve të shtëpive mundet madje të ndihmojë në zmbrapsjen e rënies së popullsisë. Abraham Lavender i Universitetit Ndërkombëtar të Floridës thotë se çmimet e ulëta mund edhe të ndihmojnë punëtorët e ndërtimit dhe të tjerë që po përpiqen t’ia dalin në Florida. //mm//


XS
SM
MD
LG