Lidhje

Një muze i pazakontë për kafshët dhe bimët e shkretëtirës


Sonora i Shkretëtirës në qytetin Tuson të Arizonës është shumë i veçantë. Është kopsht zoologjik, kopsht botanik dhe qendër kërkimore. Pjesa më e madhe e muzeut është nën qiell të hapur dhe ekspozon bimë dhe kafshë që jetojnë në shkretëtirën Sonora, e cila është e shtrirë në pjesë të Arizonës, Kalifornisë dhe Meksikës. Kafshët duket sikur jetojnë të lira, por shumica e tyre janë të ndara nga vizitorët me mjete të padukshme.

Luani i malit është macja më e madhe e Amerikës së Veriut. Një kafshë vetmitare e natës, ajo nuk shihet shpesh në gjendje të lirë. Por këtu në Muzen Arizona-Sonora të Shkretëtirës, ajo duket sikur është në mjedisin e vet natyror dhe jo në ekspozitë. Ky kanion me një pamje shumë realiste është ndërtuar me forma të mëdha që duken si gurë shkëmborë me beton dhe shufra metali.

Mbi 300 specie kafshësh dhe një mijë e 200 lloje bimësh gjenden përgjatë rruginave që shtrihen tre kilometra. Aty përfshihen Ujku i Rrezikuar Meksikan dhe kaktusi gjigant Saguaro. Vizitorëve u krijohet përshtypja se ecin në shkretëtirë, rrethuar nga bimët dhe kafshët e zonës.

Kreig Ivanje është drejtor i ekspozitave. Ai thotë:

"Rajoni i Shkretëtirës së Sonorës është një vend shumë i veçantë. Është shkretëtira më e lulëzuar në planet. (Në vend që të jesh brenda një ambjenti urban, je i zhytur në shkretëtirën që ne përfaqësojmë").

Mbi gjysmë milioni njerëz e vizitojnë muzeun çdo vit.

Në Arizonë ka shumë çakej. Një prej tyre duket sikur po lëviz lirisht por në fakt është i rrethuar nga një gardh i tejdukshëm.

"Të gjitha ambjentet e hapura janë të rrethuara nga gardhe të ndryshme, zakonisht të vështira për t'u dalluar". - thotë zoti Ivanje

Disa ekspozita janë të rrethuara me xham, si ky ambjent ku mbahet një brejtës që jeton në tunele të nëndheshme.

Ekspozita të tjera demonstrojnë një rrëqebull, një krijesë që i ngjan derrit, që quhet havelina dhe ariun e zi, i vetmi lloj ariu në Arizona.

Mund të shohësh gjithashtu krijesa tipike shkretëtirash si akrepat dhe gjarpërinjtë, si edhe kafshë uji si bretkoca dhe kastorë që ndërtojnë prita prej druri.

Zogjtë janë gjithandej, të mbyllur ose të lirë. Çdo ditë bëhet një demonstrim i shpendëve në fluturim. Zogj si ky skifter mund të fluturojnë ku të duan por janë mësuar që të kthehen për ushqim.

Trajneri i zogjve Dillon Horger thotë se zogjtë nuk fluturojnë sepse e konsiderojnë muzeun e shkretëtirës si territorin e tyre.

"Ata duan të kthehen, të hyjnë në ambjentet e tyre dhe të kalojnë natën në një vend të sigurt ku e dinë që kanë ushqim, ujë dhe një strehë". - thotë ai

Kreig Ivanie shpreson që Muzeu i Shkretëtirës të frymëzojë njerëzit që të mbrojnë shkretëtirën Sonora. Ai thotë:

"Duam që të ndërgjegjësohen për llojet e bimëve dhe kafshëve dhe ndoshta do të frymëzohen që t'i mbrojnë ato". //mm//


XS
SM
MD
LG