Lidhje

Obama: Reforma në shëndetësi do të vihet në zbatim pjesërisht këtë vit


Ndërkohë që ligjvënësit amerikanë po punojnë për një marrëveshje përfundimtare mbi reformën në sistemin shëndetsor, presidenti Barak Obama thotë se disa nga reformat do të vihen në zbatim këtë vit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain nga Uashingtoni, presidenti e pranon, megjithatë, se disa nga ndryshimet e tjera nuk do të ndodhin deri pas disa viteve.

Presidenti Obama po punon me demokratët në të dy dhomat e kongresit për të gërshetuar dy versionet e reformës së sistemit shëndetsor.

Ndërkohë, presidenti po përdor fjalimin e tij të përjavshëm në radio dhe në internet për t’i siguruar amerikanët se sapo ta nënshkruajë projektligjin për reformën në shëndetësi, ata do të shohin përfitime të menjëhershme.

“Ne jemi në prag të miratimit të reformës në sigurimet shëndetsore që do t’u ofrojnë më në fund amerikanëve sigurinë e një kujdesi shëndetsor cilësor dhe të përballueshëm pavarësisht nëse humbin punën, ndryshojnë vend pune, transferohen apo sëmuren. Praktikat më të këqia të industrisë së sigurimeve do të ndalohen përgjithmonë.”

Zoti Obama shpreson ta nënshkruajë projekligjin për ta vënë në fuqi nga fillimi i muajit shkurt.

Disa konsumatorë dhe përkrahës të projektligjit janë të zhgënjyer që pjesë të planit nuk do të hyjnë në fuqi deri nga viti 2014. Presidenti e pranon se disa nga ndryshimet do të marrin kohë për t’u zbatuar, por ai thotë se disa të tjera do të fillojnë më shpejt.

“Tani, do të marrë disa vite për t’i zbatuar plotësisht këto reforma në mënyrë të përgjegjshme. Por ajo që çdo amerikan duhet ta dijë është se sapo ta nënshkruaj legjislacionin për reformën e sigurimeve shëndetsore dhe ai të kthehet në ligj, ka dhjetëra përfitime që do të hyjnë në fuqi këtë vit.”

Zoti Obama thotë se para fundit të vitit, kompanitë e sigurimeve nuk do të lejohen të tëheqin sigurimin shëndetsor të një personi që sëmuret. Njerëzit me probleme mjekësore do të jenë në gjendje të blejnë sigurime shëndetsore të përballueshme, dhe disa biznese të vogla do të marrin ndihmë nga qeveria për mbulimin e sigurimeve shëndetsore të punonjësve të tyre.

“Këto ndryshime përfaqësojnë reformat më domethënëse dhe kufizimet më të rrepta mbi kompanitë e sigurimeve që ka parë ndonjëherë ky vend.”

Presidenti filloi fjalimin e tij duke folur për ekonominë. Niveli i papunësisë në Shtetet e Bashkuara mbeti në 10 përqind për muajin dhjetor, dhe 85 mijë amerikanë të tjerë humbën punën muajin e kaluar. Zoti Obama tha se rruga drejt rimëkëmbjes do të jetë e gjatë dhe nganjëherë jo shumë e lehtë.

XS
SM
MD
LG