Lidhje

Shkencëtarët zbulojnë molekulën që mund të bllokojë HIV-in


Një ekip shkencëtarësh amerikanë kanë zbuluar një molekulë që mund të bllokojë transmetimin e virusit HIV, që shkakton SIDË-n. Studjuesit thonë se në të ardhmen mundet të përdoret një krem i përbërë nga një agjent lokal, për parandalimin e infektimit me virusin vdekjeprurës.

Shkencëtarët e dinë prej një kohe të gjatë, se pasi virusi HIV hyn në trupin e njeriut, ai lufton për të qëndruar atje. Por një proteinë e cila gjendet në formë natyrale, tek sperma e meshkujve, e njohur si SEVI, e bën virusin 100 mijë herë më infektues se sa do të ishte normalisht, duke e ndihmuar më tej aftësinë e virusit HIV për t’u lidhur me qelizat e bardha të viktimës. Kjo çon në shkatërrimin e sistemit imunitar të trupit të prekur nga virusi.

Tani, kërkuesit amerikanë kanë zbuluar se një molekulë të quajtur surfen, ndërhyn në veprimin e SEVI-it. Warner Greene është drejtor i Insitutit Gladstone të Virologjisë dhe Imunologjisë në San Fransisco të Kalifornisë, ku janë kryer studimet laboratorike.

"Zbuluam se kjo molekulë e vogël e quajtur surfen, mund të bllokojë lidhjen e SEVI-t, duke u lidhur me virusin HIV, duke ndaluar kështu ciklin e infektimit, ose atë të transmetimit".

Studjuesi Greene thotë se molekula surfen, fillimisht e njohur nga shkencëtarët në vitin 1939, është një agjent njëkohësisht anti-iflamator dhe anti-bakterial. Ai shpjegon se surfeni parandalon infektimin duke u lidhur si me virusin e SIDË-s, edhe me qelizat e gjakut, që janë vënë në objektivin e virusit HIV.

Kërkimet për mjekimet lokale, të njohura si microbicide, që janë kremra dhe substanca xhelatinore të cilat përmbajnë agjentë kundër SIDË-s, dhe përdoren zakonisht para marrëdhënieve seksuale, kanë qenë të pasuksesshme. Kjo metodë nuk ka qenë e efektshme në parandalimin e përhapjes së virusit të SIDË-s. Por zoti Greene shpreson se molekula surfen do të jetë e efektshme.

"Mendoj se koncepti i shfrytëzimit të agjentëve që punojnë jo vetëm tek virusi, por edhe tek faktori bartës i tij, që nxit infeksionin, mund të prodhojë një bashkëveprim të fuqishëm që mund të jetë i efektshëm".

Zoti Greene thotë se terapi të ngjashme të kombinuara, të ashtuquajtura “kokteil”, janë provuar të jenë armë të efektshme në trajtimin e pacientëve të prekur nga SIDA.

"Ashtu sikurse përdorim kombinimin e terapisë anti-retrovirale për trajtimin e pacientëve të infektuar me virusin HIV, ne mund të jemi të aftë të parandalojmë transmetimin e virusit, përmes përdorimit të kombinimit të mikrobicideve".

Studjuesi Warner Greene dhe kolegët i përshkruajnë vetitë anti-SIDË të molekulës surfen në numrin e fundit të Revistës së Biokimisë.

XS
SM
MD
LG