Lidhje

Teleskopi i hapësirës Kepler zbulon planete të rinj


Shkencëtarët njoftuan të hënën se janë zbuluar planete të reja përmes teleskopit të hapsirës Kepler i cili u lëshua në mars të vitit të kaluar për të zbuluar planete të cilat lëvizin përreth yjeve të largëta.

Teleskopi i hapsirës Kepler ishte projektuar për të vrojtuar planete të ngjashme me Tokën. Por zbulimet e para të tij përfshijnë planete shumë më të mëdha—katër nga të cilët janë më të mëdhenj se Jupiteri dhe i pesti ka madhësi të ngjashme me Neptunin.

Shkencëtari i NASA-s Uilliam Boruki thotë se këto planete sillen përreth yjeve të tyre me një shpejtësi aq të madhe sa vitet e tyre numërohen në ditë.

“Periudhat e lëvizjeve përreth yjeve, apo periudhat orbitale të tyre zgjasin nga 3.2 deri në 4.9 ditë. Pra këto janë orbita mjaft të shkurtëra, gjë që lë të kuptohet se këto planete sillen shumë afër përreth yjeve të tyre dhe për këtë arsye kanë temperatura mjaft të larta”.

Për të përllogaritur temperaturën e planeteve astronomët përdorin shkallën Kelvin, e cila fillon në zero absolute. Për shembull, temperatura e Jupiterit është 124 gradë Kelvin ndërsa ajo e Tokës është rreth 300 gradë Kalvin.

“Kur temperatura shënon rritje, shfaqet llava e shkrirë në rreth 1300 gradë Kelvin. Të gjitha planet që zbuluam kanë temperaturë më të lartë se llava e shkrirë. Ata shkelqejnë prej temperaturës së tyre. Kur i shikon, është njësoj si të shohësh një furrnaltë të ndezur dhe plot shkëlqim.”

Zoti Boruki dhe astronomë të tjerë diskutuan zbulimet e reja në një takim të Shoqatës Astronomike Amerikane në Uashington.

Teleskopi Kepler nuk ka mundësi t’i shohë planetet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Edhe kur vrojtohet me teleskopin më të avancuar në thellësi të hapsirës është e pamundur të dallohen planete, të cilat sillen përreth yjeve të mëdha dhe të ndritshme. Dhe për këtë arsye astronomët përpiqen të kapin momentet kur shkëlqimi i yllit zbehet pak ndërkohë që planeti kalon para tij. Kjo është mënyra se si u zbuluan këto planete të reja.

Teleskopi Kepler vazhdimisht vrojton më shumë se 100 mijë yje, të cilat mendohet se kanë planetet e tyre. Sfida më e madhe është të eliminohen nga studimi rastet kur ndriçimi i yjeve zbehet për arsye të tjera.

“Fatmirësisht ne kemi një plan të mirë për të identifikuar këto zbehje që nuk shkaktohen nga orbita e planetit”.

Astronomja nga Universiteti San Hose, Natalie Batalia u tha gazetarëve se disa nga këto zbehje mund të eliminohen nga studimi përmes informacioneve të sakta nga vrojtimet e teleskopit Kepler. Por në raste të tjera, astronautët mbështeten në vrojtimet nga Toka për të konfirmuar zbulimet e teleskopit Kepler. Rreth 100 netë vrojtimesh nga teleskopë në Shtetet e Bashkuara dhe në Ishujt Kanari u nevojitën për të konfirmuar zbulimin e pesë planeteve të reja.

“Shpjegimi ofron një ide për procesin e zbulimit, se sa kohë merr ai nga fillimi e deri në fund dhe se sa të kujdesshëm tregohemi ne në konfirmimin e të dhënave, për të garantuar se këto janë sinjale të vërteta”.

Ron Gilliland i Institutit Shkencor për Teleskopët e Hapsirës thotë se madhësia e një ylli ishte matur përmes teleskopëve të Tokës me një nivel gabimi prej plus ose minus 10 për qind. Teleskopi Kepler e zvogëlon në afro 1 për qind gabimin e matjeve. Për këtë arsye teleskopi Kepler ka përmirësuar matjen e një planeti i cili sillet përrreth yllit të tij.

Keti Piaçovski nga Universiteti Indiana thotë se këto zbulime mirëpriten nga ata, të cilën shpresojnë të gjejnë kushte për ekzistencën e jetës në këto planete të largëta.

Shkencëtarët që punojnë me teleskopin Kepler thonë se janë të lumtur me rezultatet që po marrin. Ato kanë në plan të mbledhin sa më shumë të dhëna në muajt dhe vitet e ardhëshme, të cilat do t’i ndihmojnë të identifikojnë planete të ngjashme me Tokën.

XS
SM
MD
LG