Lidhje

Josipoviç thotë se do ta bëjë Kroacinë model të demokracisë


Presidenti i porsazgjedhur kroat Ivo Josipoviç thotë se ai do ta bëjë vendin modelin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, ndërsa Kroacia përpiqet të hyjë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2012.

Zoti Josipoviç u foli përkrahësve sot në Zagreb, menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve konfirmoi fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan dje.

Nga numërimi i votave doli se kandidati i Partisë Socialdemokrate të opozitës fitoi 60 për qind dhe se Kryetari i Bashkisë së Zagrebit, Milan Bandiç i ka humbur zgjedhjet.

Zoti Josipoviç, profesor i juridikut dhe kompozitor i muzikës klasike, tha se fitues është çdo kroat. Ai u zotua se do të fuqizojë sundimin e ligjit, të drejtat e pakicave dhe lirinë fetare në vend.

Ai po ashtu tha se të gjithë kroatët duan që puna e vështirë të shpërblehet dhe korrupsioni zyrtar të ndëshkohet.

Presidenti i zgjedhur e zhvilloi fushatën me premtimin për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, kushtet më të rëndësishme për anëtarësimin në BE. //ii

XS
SM
MD
LG