Lidhje

Rastet e miopisë, në rritje. Njerëzit që duken më të rinj, jetojnë më gjatë


Miopia në rritje

Nëse e keni të vështirë të shihni objektet në distancë, kjo është shenjë e miopisë. Por mos u shqetësoni, sepse nuk jeni vetëm. Numri i miopëve në botë është në rritje. Një studim i ri tregon se numri i personave miopë është në rritje, jo vetëm në Amerikë por në gjithë globin. Kjo i ka bërë shkencëtarët të pyesin, përse?

E parë nga ana praktike, kjo tregon se profesioni i optometristit është me perspektivë. Studimi tregon se gjithnjë e më shumë amirikanë kanë nevojë për lente për të përmirësuar shikimin e tyre.

Personat me miopi mund t'i dallojnë më mirë objektet kur i afrojnë afër syve, ndërsa larg ato duken të zbehta a të errëta. Një analizë nga Instituti Kombëtar i sëmundjeve të syve tregon se gjatë 3 vjetëve të fundit numri i rasteve të miopisë është rritur ndjeshëm.

Të dhënat më të fundit tregojnë se 42 përqind e amerikanëve mes moshës 12 - 54 vjeç janë miopë, në krahasim me 25 përqind në fillim të viteve 1970.

Por në këtë drejtim, amerikanët nuk janë vetëm. Sipas studimit të botuar në Arkivat e Okulistikës, prirje të ngjashme tregojnë edhe studimet nga Azia, Australia dhe Evropa. Shtrohet pyetja, përse kjo rritje e papritur e rasteve të miopisë?

Shkencëtarët kanë teori të shumta të ndryshme. Disa thonë se tek një gjen që është përgjegjës për organet e të parit mund të ketë ndodhur ndonjë ndryshim a mutacion që shkakton miopinë.

Disa të tjerë fajësojnë përhapjen e teknologjisë kompjuterike - që i bën njerëzit të qëndrojnë ndoshta me orë të zgjatura me sy të ngulitur në ekranin e kompjuterit. .

Fatmirësisht, miopia është një problem që korrigjohet lehtë me syze, lente kontakti dhe me operacion me rreze lazer.

Por nuk duhet harruar kostoja financiare. Sipas përllogaritjeve, shtimi i rasteve të miopisë ka shtuar me 3 miliardë dollarë shpenzimet e përgjithëshme mjekësore.

Njerëzit që duken më të rinj, jetojnë më gjatë.

Studiuesit thonë se pamja e jashtme, pa kremëra dhe operacione plastike, është tregues mjaft i mirë i moshës biologjike. Megjithatë, dieta e shëndetshëm, ushtrimet fizike, dhe mos pirja e duhanit janë mënyrat më të efektshme për shëndet të mirë e jetë të gjatë.

Njerëzit kudo në botë, bura e gra, përdorin kremra kundër rudhave dhe kirurgji plastike për t'u dukur të rinj para të tjerëve. Por natyra është vështirë të mashtrohet.

Studimi morri në shqyrtim mbi 2.000 binjakë të moshuar danezë dhe tregoi se ata që dukeshin më të rinj se mosha aktuale gëzonin shëndet më të mirë dhe jetonin më gjatë. Ata ishin më aktivë, më të fortë fizikisht dhe më inteligjentë.

Sipas studimit, njerëzit që dukeshin më të rinj sesa ishin në të vërtetë, jetonin më të gjatë - madje edhe mes binjakëve; ata që dukeshin më të vjetër në moshë kishin më shumë të ngjarë të vdisnin më herët sesa binjakët që dukeshin më të rinj.

Kur mjekët ekzaminuan ADN-në e pjesëmarrësve, ata gjetën një shpjegim biologjik: njerëzit të cilët duken më të rinj sesa mosha që kanë ka të ngjarë të kenë Telomere më të gjatë. Telomeres janë struktura në fund të kromozoneve që i mbrojnë ato nga dëmtimi. Telomeres shpesh krahasohen me pjesëzën plastike në fund të lidhëses së këpucëve që parandalon shthurrjen e lidhëses.

Në fund lind pyetja se ç'duhet bërë për të ruajtur një pamje rinore, ndërsa njeriu moshohet? Për këtë nuk ka përgjigje të prerë. Por ekspertët rekomandojnë se dieta e shëndetëshme, ushtrimet fizike, dhe mos pirja e duhanit janë mënyrat më të efektshme për shëndet të mirë e jetë të gjatë.


XS
SM
MD
LG