Lidhje

Haiti goditet nga një tërmet shkatërrimtar prej 7 ballësh


Në Haiti njerëzit kanë filluar të gërmojnë nën rrënoja në Port-au-Prince, ku mendohet se mijëra vetë kanë gjetur vdekjen nga tërmeti i fuqishëm që shkatërroi pjesën më të madhe të kryeqytetit. Kryeministri i Haitit Zhan-Maks Beleriv tha për rrjetin amerikan CNN se mendon se mbi 100 mijë vetë mund të kenë vdekur.

Tërmeti me fuqi 7 ballë që goditi dje këtë vend të Karaibeve, rrëzoi pallatin presidencial, monumente dhe spitalin më të madh në vend. Shkolla dhe shtëpi të ndërtuara jashtë standartit të sigurisë teknike ishin shndërruar në pirgje rrënojash në rrugët e kryeqytetit, duke lënë pa strehë shumë nga banorët. Spitalet që funksionojnë janë mbushur tej kapacitetit dhe plot banorë të përgjakur kanë mbetur rrugëve.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar thotë se deri në 3 milion vetë janë prekur nga katastrofa natyrore. Ekipet nxorën sot trupa nga selia e rrënuar e OKB-së në Port-au-Prince. Mbi 100 pjesëtarë të personelit të OKB-së figurojnë të zhdukur, përfshirë shefin e misionit Hedi Anabi. Ushtria e Brazilit thotë se 11 nga paqeruajtësit e saj kanë gjetur vdekjen. Jordania ka njoftuar për tre vdekje. Njoftohet se Peshkopi katolik i Port-au-Princit ka mbetur i vrarë.

Tërmeti i fuqishëm që goditi dje kryeqytetin e Haitit, shkatërroi thuajse gjithçka, që nga kasollet e vogla e deri tek Pallati Presidencial dhe ndërtesa e paqeruajtësve të OKB-së. Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, i tha një radioje franceze se beson që shefi i misionit të OKB-së në Haiti, Hedi Anabi, ka vdekur.

Haitianë të plagosur kishin mbetur rrugëve të errëta duke u lutur për ndihmë dhe një numër i madh të tjerësh kanë mbetur ende të varrosur nën rrënojat e tërmetit më të fortë që ka goditur këtë vend të varfër të Karaibeve në më shumë se 200 vjet.

Linjat e komunikimit nuk funksionojnë thuajse fare, duke e bërë të pamundur marrjen e informacionit mbi dëmet e tërmetit 7 ballësh, apo vlerësimin e numrit të të vdekurve që kanë mbetur nën mijëra ndërtesa të shkatërruara. Edhe energjia elektrike është ndërprerë në shumë zona.

Duke folur me telefon për kanalin 9 të Australisë nga Port-o-Prinsi, punonjësi australian i ndihmave, Ian Roxhers tha se po shihte skena të llahtarshme.

“Dëgjohen klithmat e njerëzve kur shohin se kanë humbur njerëzit e tyre apo kur nuk gjejnë fëmijët. Pastaj dëgjohen thirrjet e njerëzve që po përpiqen të nxjerrin nga rrënojat njerëz të tjerë që kanë mbetur gjallë”.

Zoti Roxhers foli edhe për standartet e dobëta të ndërtimit në vend dhe pamundësinë e tyre për të përballuar një tërmet të këtyre përmasave.

Është e qartë se shumë njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre dhe shumë të tjerë kanë vdekur nën ndërtesat e rrënuara, të cilat ishin të dobëta dhe të rrezikshme edhe në kushte normale.

Tërmeti ra në orën 4:53 pasdite. Gjeofizikanja amerikane Kristin Marano e quajti këtë tërmetin më të fuqishëm që prej vitit 1770 në vendin ku ndodhet tani Haiti.

Presidenti amerikan Barak Obama është zotuar të japë një ndihmë të shpejtë, të koordinuar dhe agresive për Haitin pas goditjes së tërmetit masiv.

Presidenti Obama tha sot se ekipet emergjente amerikane po udhëtojnë drejt Haitit dhe se ky vend do të ketë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në operacionet kërkim-shpëtim si dhe në përpjekjet e ndihmave.

Në një seancë informimi në Departamentin e Shtetit, kreu i Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID tha se përpjekjet amerikane do të përqendrohen fillimisht në shpëtimin e jetëve.

Kreu i Komandës Jugore Amerikane tha në komentet për shtyp se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të trupave për të mbështetur misionin e OKB-së në Haiti. Ai tha se një aeroplan-mbajtëse amerikane me një flotë helikopterësh po lundron drejt Haitit dhe duhet të arrijë nesër pasdite.

Shefja e Personelit të Departamentit të Shtetit Cheryl Mills tha se zyrtarët federalë po punojnë gjithashtu për të identifikuar vendodhjen e personelit të ambasadës amerikane dhe shtetasve të tjerë amerikanë në Haiti. Ajo u bëri thirrje amerikanëve të përpiqen të kontaktojnë të afërmit e tyre dhe t’i telefonojnë Departamentit të Shtetit.

Shumica e 9 milion banorëve të Haitit janë shumë të varfër, dhe pas vitesh mungese stabiliteti politik, vendi nuk ka standarte të vërteta ndërtimi.

Në nëntor 2008, pas shembjes së një shkolle në Petionville, kryetari i bashkisë i Port-o-Prinsit vlerësoi se rreth 60 përqind e ndërtesave nuk ishin ndërtuar si duhej dhe ishin të pasigurta edhe në rrethana normale.

Tërmeti i djeshëm u ndje edhe në Republikën Domenikane, e cila ndan ishullin Hispaniola me Haitin, por atje nuk u njoftuan dëme. Në Kubën lindore, shtëpitë u tronditën por nuk thuhet të ketë pasur dëme.

Haiti është kryesisht vend malor me një klimë tropikale dhe plazhe të bukurua, që do ta bënin këtë vend një destinacion turistik tërheqës po të mos kishte kaluar vite dhune politike, korrupsioni, prerje pyjesh, krimesh dhe tragjedive natyrore që kanë penguar dukshëm përpjekjet e zhvillimit.

Haiti shtrihet në mes të rrugës së uraganeve, dhe kjo bën që stufi të mëdha ta rrahin këtë pjesë të ishullit gjatë stinës së verës në hemisferën veriore. Përveç përmbytjeve, Haiti ka probleme edhe me thatësirën dhe tërmetet.

Në vitin 2008, Haiti u shkatërrua nga 4 stuhi, të cilat shkaktuan vdekjen e qindra njerëzve dhe zhdukën 15 përqind të prodhimit ekonomik të vednit. Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zollik, vlerësoi dëmin e stuhive rreth 1 miliard dollarë.

Haiti është vendi më i varfër i hemisferës veriore, ku 70 përqind e popullsisë jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë.

XS
SM
MD
LG