Lidhje

Klinton parashtron strategjinë e sigurisë për Azinë dhe Paqësorin


Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton parashtroi strategjinë amerikane të sigurisë për Azinë dhe Paqësorin, duke thënë se për arritjen e suksesit në bashkëpunimin rajonal, është tepër i rëndësishëm angazhimi aktiv i Shteteve të Bashkuara.

Në fjalimin që mbajti mbrëmë në Honolulu të Hawait, zonja Klinton tha se e ardhmja e SHBA-së dhe Azisë lidhet me bashkëpunimin ekonomik dhe në fushën e sigurisë. Ajo tha se vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë për t'iu kundërvënë kërcënimeve për sigurinë, si mospërhapja e armëve bërthamore, mosmarrëveshjet territoriale dhe konkurrenca ushtarake.

Ajo tha se pakësimi i pengesave tregtare dhe të investimeve do të rrisë zhvillimin ekonomik dhe se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe nxitja e shoqërive të hapura do të sjellë përparimin politik.

Kryediplomatja amerikane po ashtu tha se administrata e zotit Obama është e gatshme të riangazhohet në rajonin e Azi-Paqësorit, duke ju referuar hapur politikës së mosangazhimit, sipas zonjës Klinton, të paraardhëses së saj, Kondoliza Rajs.

Gjatë një sesioni me pyetje-përgjigje pas fjalimit, zonja Clinton tha se SHBA shpresojnë të shohin një hapje më të madhe politike nga Kina, me mundësinë për të ushtruar të gjithë spektrin e të drejtave dhe lirive.

XS
SM
MD
LG