Lidhje

SHBA: Miratimi për presidentin dhe zgjedhjet në Kongres


Një anketë e re e opinionit tregon se Barak Obama është presidenti i dyti pas presidentit Ronald Reagan me nivelin më të ulët të miratimit për punën e tij në fillim të vitit të dytë në detyrë. Përveç kësaj, përkrahësit e tij besnik, disa demokratë liberalë po flasin tani hapur kundër presidentit. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim arsyeve dhe si mund të ndikojë kjo situatë në zgjedhjet e nëntorit.

Kur Barak Obama u zgjodh president, demokratët liberalë qëndruan fuqishëm në mbështetje të tij. Ata besonin se njeriu i cilësuar nga media si senatori më liberal i Amerikës nuk do t'i linte në baltë. Por tani, nuk janë më aq të sigurtë.

Richard Trumka është kreu i sindikatës më të madhe të punës në Amerikë, AFL-CIO. Në një fjalim të fundit, zoti Trumka kritikoi disa herë presidentin Obama për atë që e konsideron mungesë të veprimit.

"Tani më shumë se kurrë kemi nevojë për guximin dhe qartësinë që pamë tek presidenti ynë gjatë fushatës së vitit 2008, kur ai parashtroi problemet ekonomike me të cilat përballet vendi. Ky është momenti që kërkon kurajo politike por kjo nuk duket të ndodhë. Presidenti Obama tha në fjalimin e tij të inaugurimit, 'gjendja e ekonomisë kërkon veprim të fuqishëm dhe të menjëhershëm dhe ne do të veprojmë jo vetëm për të krijuar vende të reja pune, por për të hapur themelet e rritjes'. Ka ardhur koha që fjalët të kthehen në vepra".

Analistët politikë thonë se zoti Obama përballet me shumë çështje të vështira që nuk mund të zgjidhen kollaj – dy luftra, reforma shëndetësore dhe papunësia në nivelin më të lartë në 26 vjetë. Një anketë e re e opinionit tregon se zoti Obama është vetëm presidenti i dytë me nivelin më të ulët të miratimit pas Ronald Reganit në periudhën e fillimit të vitit të dytë në detyrë.

Mbrojtësi i njohur i të drejtave civile Julian Bond thotë se liberalët si ai nuk janë asnjëherë të kënaqur. "Disa prej tyre kishin pritshmëri jorealiste. Do ta zgjedhim këtë njeri dhe vendi do të transformohet në mënyrë të magjishme – do të bëhej një vend më i mirë brenda ditësh. Askush nuk duhet të kishte këtë në mendje".

Disa shqetësohen se pakënaqësia ndaj presidentit do të ketë efekte në zjgedhjet e fundit të vitit në kongres. Tashmë disa demokratë të shquar njoftuan se po largohen. Kritikët thonë se muajt e ardhshëm do të jenë tepër të rëndësishëm për zotin Obama të demonstrojë një udhëheqje të fuqishme, për të siguruar se partia demokrate mbetet në kontroll në kongres. Ken Walsh është korrespondent në Shtëpinë e Bardhë për revistën US news.

"Shtëpia e Bardhë ende ka besim se 2010 do të jetë një vit i suksesshëm. Shumë do të varet nga fakti sesi demokratët do të dalin në zgjedhje. Tani nuk duket situatë optimiste por ka ende kohë përpara".

Në anketën e organizatës Gallup të zhvilluar javën e kaluar, niveli i miratimit të publikut për punën e presidentit ishte 50 përqind, shumë më poshtë nga 68 përqind që ishte kur u zgjodh në post. Organizata Gallup thotë se shpejtësia me të cilën po bie mbështetja e opinionit publik është një paralajmërim se mund të humbasë mbështetjen e shumicës.//rd//

XS
SM
MD
LG