Lidhje

Luftë me kancerin; historia e Daniel Rokës


Gati një vit më parë, Daniel Rocha, një producent televiziv në zonën e Uashingtonit, u diagnostikua me kancer në pankreas dhe mjekët i thanë se kanceri kishte filluar të përhapej me shpejtësi në gjithë organizmin. Shpresat u prenë. Atij i thanë se i kishin mbetur vetëm pak javë për të jetuar. Por një kombinim ilaçesh së bashku me ndihmën shpirtërore nga një prift, i kthyen jetën Daniel Rokës.

Producenti televiziv Daniel Roka, me prejardhje nga Kolumbia, po përjeton një periudhë shëndeti. Nëntë muaj më parë ai u diagnostikua me kancer në pankreas, një nga kanceret më vdekjeprurëse.

Atij i kujtohet kur hyri në sallën e operacionit. Gruaja e tij i jepte shpresë. “Më ke mua dhe tre fëmijë dhe nuk do të lemë të ikësh” i thoshte ajo. Operacioni përfundoi me sukses. Pankreasin ia hoqën, por qelizat kanceroze ishin përhapur në mëlçi.

Në Qendrën për sëmundjet e gjakut dhe kancerit në Meriland, onkologist Viktor Priego thotë se në gjendjen që ishte Danieli, atij nuk i kishin mbetër më shumë se 4 muaj jetë. Kanceri ishte përhapur shumë duke prekur thuajse 70 për qind të mëlçisë.

Para disa muajsh, doktor Priego filloi t'a trajtonte Danielin me një metodë të re që është ende në provë klinike dhe pjesë e një studimi që kombinon ilaçin Gemzar me një ilaç eksperimental të quajtur Abraxane. Ky lloj ilaçi është provuar i efektshëm ndaj kancerit të gjirit dhe kancerit të mushkërive.

Doktor Priego thotë se deri tani kombini i këtyre dy ilaçeve krahas kipoterapisë, ka qenë efektiv në zgjatjen e jetës për pacientët me kancer në pankreas. Prova klinike drejtohet nga mjekja Sarah Kanon e Institutit të Kërkimeve në Nashvill të shtetit Tenesi.

Por një javë para se Daniel Roka të forcohej pak për të filluar kimoterapinë, ai pati një përvojë shpirtërore që thotë se i shpëtoi jetën.

Pastori evangjelist D. Negroni e vizitoi Danielin në spital dhe kur e pa se sa ishte dobësuar, e ftoi për t'iu lutur Zotit. Danieli thotë se që nga ajo kohë filloi të ndjehej më mirë dhe më i qetë. Pastor Negroni i tha se kjo ishte shenjë se Zoti i ishte përgjigjur lutjes së tij. Daniel thotë se atë natë ai u çlirua nga ethet dhe temperatura e lartë, dhe ndjeu se po filloi të shërohej.

Pastor Negroni thotë se ishte një lutje e thjeshtë për shërimit. “Kur përfunduam lutjen, dhe unë hapa sytë dhe pashë se Danieli dukej shumë më mirë. Shërimi është meritë e Zotit, jo e imja”, thotë pastori.

Shumë mjekë njohin pacientë si Danieli, që me mbështetje të fortë të familjes, me një qëndrim pozitiv dhe një jetë aktive shpirtërore kanë shanse më të mëdha për të mbijetuar.

Përvoja e hidhur Daniel Rokës është ende larg përfundimit. Ai ka humbur 35 kilogram të peshës trupore, por kohët e fundit ka fituar peshë dhe do të vazhdojë kimioterapinë edhe për disa kohë.

Danieli ka filluar të punojë përsëri në mënyrë të kufizuar. Kitarën e mban pranë. Tani ai ka në plan për të ndihmuar të tjerët të cilët janë të sëmurë rëndë.

XS
SM
MD
LG