Lidhje

Përmirësohet gjendja në Shkodër

  • Pellumb Sulo
  • Shkodër

Situata e përmbytjeve në Shkodër ka njohur përmirësim gjatë 24 orëve të fundit. Uji është larguar nga rreth 2600 hektarë tokë dhe po ashtu edhe nga 480 banesa, kjo edhe për faktin se Hidrocentralet e Fierzës dhe Komanit, dje kanë mbyllur portat e shkarkimit. Megjithatë, autoritetet vazhdojnë t'i bëjnë thirrje popullatës, që të tregojë kujdes dhe të bashkëpunojë me strukturat e ushtrisë, policisë dhe emergjencave civile.

Gjatë 24 orëve të fundit ka nisur të përmirësohet situata në gjithë rrethin e Shkodrës. Kjo për shkak të përmirësimit të motit dhe pakësimit të shkarkimeve të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit. Në disa zona si në hyrje të qytetit në komunën e Gurit të Zi si dhe në rrugën që shkon drejt komunës së Dajçit ujërat janë larguar duke mundësuar forcat e policisë dhe të ushtrisë që të lëvizin me automjete për të vazhduar operacionet në ndihmë të popullatës. Në disa zona niveli i ujit është ulur me 60 centimetra megjithatë pjesa më e madhe e fshatrave vazhdojnë të jenë nën ujë sidomos në komunat e anës së malit të Dajçit, Velipojës dhe Bushatës. Në komunën e Gurit të Zi, sipas kryetarit të kësaj komune Broz Markut ujërat janë larguar gjatë ditës së djeshme thuajse nga gjithë fshatrat dhe lagjet e përmbytura.

“Në zonën e Gurit të Zi në fshatrat e përmbytura nga vërshimi i ujërave janë drejt përmirësimit. Në momentet që ne flasim dhe që nga dita e djeshme është larguar uji dhe në gjithë territorin e përmbutur tani nuk ndjehet prezenca e ujit, njerëzit kanë filluar të afrohen dhe të futen në shtëpitë e tyre dhe të fillojnë të sistemojnë ato çfarë kanë mundësi për të kryer. Ne kemi përgatitur dhe mbledhur grupet e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet dhe po presim urdhërin nga shtabi i emergjencave civile dhe nga shtabi i emergjencave të ngritur këtu në rrethin e Shkodrës për të filluar me vlerësimet që më pas t’i paraqesim tek qeveria.”

Ndërkohë shenja e përmirësimit të situatës sipas Ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, është edhe fakti që sot do të rifillojë mësimi në Universitetin Luigj Gurakuqi.

“Mësimi në Universitetin Luigj Gurakuqi ka filluar ashtu siç ka qenë njoftuar më datën 15 dhe ai do të zhvillohet normalisht. Ndërsa në shkollat e mesme profesionale ne duhet të presim akoma. Konviktet e shkollave profesionale janë verë në dispozicion të banorëve të evakuar nga zonat e përmbytura. Kështu ne do të kemi një njoftim të dytë për shkollat profesionale.”

Megjithë përmirësimin e situatës autoritetet vazhdojnë të paralajmërojnë banorët që emergjenca civile ende nuk ka përfunduar duke kërkuar prej tyre kujdes dhe bashkëpunim me strukturat e policisë, ushtrisë dhe emergjencave civile për të tejkaluar situatën e rënduar të dy javëve të fundit.


XS
SM
MD
LG