Lidhje

Ndihmat mbërrijnë tek haitianët e dëshpëruar



Trupa dhe ngarkesa me ushqime dhe ilaçe mjaft të nevojshme po shkojnë drejt zonave të varfëra të Haitit pasi tërmeti më i fuqishëm në 200 vjetë e ktheu kryeqytetin Port-o-Princ në rrënoja. Avionët e ndihmave megjithatë kanë mbushur aeroportin kryesor.

Zyrtarët e Kryqit të Kuq llogarisin se 45 mijë deri në 50 mijë njerëz kanë vdekur nga tërmeti i së premtes me magnitudë 7 ballë që rrafshoi shtëpitë dhe ndërtesat qeveritare dhe duke varrosur numër të pallogaritshëm njerëzish. Disa haitianë kanë gërrmuar me duar për të nxjerrë njerëzit e bllokuar në rrënoja.

Selia e misionit të Kombeve të Bashkuara në Haiti ishte mes ndërtesave që u shemb nga lëkundjet e së martës. Kombet e Bashkuara thanë se të paktën 36 persona të misionit kanë vdekur ndërsa gati 150 të tjerë figurojnë të zhdukur, përfshi kreun e misionit atje Hedi Anabi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se nevojat imediate të haitianëve janë furnizimet me ilaçe, ushqime, ujë, tenda, dhe pajisje të kërkimit. Por ai shtoi se në përgjithësi siguria dhe rendi janë në kontroll dhe se paqeruajtësit e OKB-së vazhdojnë të patrullojnë dhe të ndihmojnë përpjekjet e shpëtimit.

GAZETARI I VOA, BRIAN WAGNER SHPJEGON SITUATËN NË VENDNGJARJE

"Po udhëtojmë në qytet, së bashku me një grup pacientësh që i takova në hotel. Po kërkojmë karburant. Ka shqetësime se furnizimet e naftës do të përfundojnë së shpejti dhe se makinat nuk do të mund të funksionojnë. Në një lagje të cilën e kaluam më parë pamë një ndërtesë biznesi pesëkatëshe e cila dukej se ishte përmbysur plotësisht.

Një buldozer i fuqishëm po përpiqej të hiqte disa nga rrënojat. Në afërsi gjendeshin një numër i madhë i trupave të pajetë. Ndërsa udhëtojmë, në të majtën time shoh një tjetër zonë ku janë grumbulluar një numër trupash të pajetë, shumë prej tyre të gjysmuar, disa të mbuluar me plasmas. Në shumë pjesë të qytetit shihen grupe kalimtarësh.

Kur njerëzit kalojnë pranë trupave të pajetë ata e mbulojnë fëtyrën me këmishat e tyre. Disa prej tyre kanë maska mbrojtëse ose gjëra të tjera për të mbrojtur frymarrjen.

Kemi arritur tek sheshi i madh në afërsi të shumë objekteve qeveritare dhe qendrës së qytetit. Një turmë e madhe e njerëzve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre po qëndrojnë këtu. Deri diku disa nga këto pjesë të qytetit duken si kampe pasi në to janë ngritur tenda dhe vendosur mbulesa. Në disa vende ka vetëm njërëz me plaçkat e tyre personale.

Ndërsa kthehemi në anën tjetër të sheshit kryesor shohim një numër edhe më të madh njerëzish. Disa prej tyre kanë ngritur tenda përmes mbulesave të cilat duket se po i përdorin për të fjetur. Një numër tejet i madh njerëzish duket se janë mbledhur këtu. Ajo që mund të themi është se përveç një makine të zjarrëfiksëve e cila po shpërndan ujë, nuk shohim asnjë grup qeveritar apo organizatë humanitare të jetë këtu".


XS
SM
MD
LG