Lidhje

Ukraina në prag të zgjedhjeve presidenciale


Të dielën në Ukrainë zhvillohen zgjedhjet presidenciale por duket se ndaj kandidatëve kryesorë ka një pakënaqësi të madhe. Mbështetja për kandidatin në pushtet, Viktor Jushçenko, thuhet se është nën 5 përqind. Kundërshtarja e tij Julia Timoshenko po i mbron arritjet e saj si kryeministre, duke thënë se ajo ka parandaluar keqësimin e mëtejshëm të ekonomisë. Ish kryeministri Viktor Janukoviç është gjithashtu kandidat në këto zgjedhje pavarësisht se një vendim i gjykatës së lartë i vitit 2004 deklaronte se kandidimi i tij për president në atë kohë u shoqërua me manipulime.

Shumë ukrainas thonë se ata po vuajnë pasojat e rivalitetit mes presidentit Jushçenko dhe kryeminstres Timoshenko, gjë që po i minon politikat qeveritare. Ish kryeministri Viktor Janukoviç, i cili mori një goditje në zgjedhjet presidenciale të 2004-s, është rikthyer në skenë. Votuesit dyshojnë se këta tre kandidatë janë të përfshirë në korrupsion, dhe pavarësisht nga mbështetja e ulët, të tre ata kanë siguruar emërimet e partive të tyre.

Vitali Bala, i cili drejton një grup këshillues në Kjev, thotë se në Ukrainë ende ekziston stili sovjetik i sistemit politik i bazuar te personalitetet. Ky sistem, thotë zoti Bala shpërblen përkrahësit dhe status kuonë, në vend të ideve.

“Vëtëm një ekip talentesh mund ta nxjerrë Ukrainën nga kriza e tanishme. Një talent i vetëm nuk mund ta bëj këtë. Por asnjë yll nuk dëshiron të jetë i rrethuar nga yje tjerë dhe të ndajë lavdinë e famës dhe pushtetit.”

Zoti Bala thotë se sistemi i tanishëm rrethon liderët me njerëz që nuk u kundërvihen, duke krijuar një boshëllëk në mes politikanëve dhe popullit.

“Ata që dalin nga hiçi dhe bëhen menjëherë bosa të mëdhenj përpiqen të krijojnë boshllëk rreth vetes për të shmangur kontaktet me njerëzit nga të cilët dolën.”

Shumë ukrainas thonë se ata shkojnë në votime vetëm për të hedhur një votë kundër. Disa nga ata që punojnë për fushatat e tre kandidatëve kryesorë thanë se nuk do të mbështesin kandidatët e tyre, por druajnë se vota e tyre për një kandidat tjetër do të shkonte kot.

Pavarësisht se janë 20 kandidatë të tjerë që rivalizojnë me tre kryesorët, anketat tregojnë se asnjëri nuk përbën ndërnjë kërcënim serioz.

Oliksi Haran, profesor i shkencavë politike në Akademinë Mohila të Kievit, i tha Zërit të Amerikës së politikanët ukrainas nuk janë pjekur aq shpejt sa janë pjekur votuesit.

“Në Ukrainë ka përpjekje për të krijuar një forcë politike të stilit evropian, ku politika dhe financat janë transparente, ku dihet se kush është në fletëvotime, dhe ku kandidatët nuk janë të përfshirë në skema të korrupsionit. Kjo është ajo që udhëheqësit e rinj duhet të bënin. Por ata nuk e kanë bërë këtë, prandaj na duhet të zgjedhim nga politikanët e vjetër.”

Anketat e opinionit tregojnë se asnjë kandidat nuk do të marrë 50 përqind të votave të nevojshme për të fituar zgjedhjet që në raundin e parë. Dy kandidatët që do të marrin më shumë vota, me sa duket Julia Timoshenko dhe Viktor Janukoviç, do të ndeshen në balotazhin që do të mbahet më 7 shkurt.

XS
SM
MD
LG