Lidhje

Ban Ki-Moon: Haiti ka nevojë për mbështetje të pashembullt


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon thotë se Haiti ka nevojë për një "mbështetje ndërkombëtare të pashembullt" për shkak të dëmeve të jashtëzakonshme dhe shkatërrimit që solli tërmeti masiv i para pesë ditëve. Zoti Ban po shkon sot në Haiti për të ndjekur përpjekjet e ndihmave për atë që ai e quajti " një nga krizat më të rënda humanitare prej dekadash të tëra". Ndërkohë përpjekjet për të ndihmuar të mbijetuarit po bëhen gjithnjë e më të tensionuara.

Banorët po përpiqen të marrin ndihmë dhe qeveritë e huaja dhe grupet e ndihmave po bëjnë përpjekjet maksimale për ta siguruar atë. Punonjësit e huaj të ndihmave po përpiqen të shpërndajnë ujin e domosdoshëm, ushqime dhe paisje mjekësore tek banorët, pesë ditë pas tërmetit të fuqishëm prej 7.0 ballësh.

Zyrtarët haitianë thanë se 40 mijë trupa janë varrosur në varre masive dhe parashikojnë që numri të vdekurve mund të arrijë deri në 200 mijë.

Disa të mbijetuar filluan kanë filluar të largohen nga kryeqyteti i shkatërruar Port-Au-Prince, në këmbë ndërsa qyteti u përfshi nga lajmet për dhunë dhe plaçkitje.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton ishte dje në kryeqytetin haitian. Pasi u takua me presidentin Rene Preval ajo ofroi mbështetjen e administratës për popullin e Haitit.

"Siç ka thënë Presidenti Obama, ne do të jemi këtu sot, nesër dhe për sa të jetë e nevojshme".

Ndërkohë Presidenti Obama ka kërkuar ndihmën e ish-presidentëve Xhorxh Bush dhe Bill Klinton për të koordinuar përpjekjet për përfshirjen e më shumë amerikanëve për të ndihmuar Haitin për rimëkëmbje dhe rindërtim.

Në Vatikan sot, Papa Benedikti ofroi mbështetjen për grupet e bamirësisë që po ndihmojnë Haitin në këtë moment nevoje të jashtëzakonshme.

"Sot ne jemi pranë popullit të dashur të Haitit dhe lutemi me gjithë zemër për ta. Unë po ndjek dhe inkurajoj mbështetjen e disa organizatave bamirëse që po marrin barrën për të përballuar nevojat e vendit. Unë lutem për të plagosurit, për të pastrehët dhe për ata që humbën jetën në mënyrë tragjike".

Ati i Shenjtë tha se i dërguari i papës kishte mbijetuar dhe po e informonte atë vazhdimisht, por ai shtoi se shumë priftërinj dhe murgesha, si edhe arqipeshkvi i Port Au-Prince kishin vdekur. //kk//



XS
SM
MD
LG