Lidhje

Ukrainasit në zgjedhjet presidenciale


Një anketë menjëherë pas votimit në Ukrainë tregon se udhëheqësi pro rus i opozitës Viktor Janukoviç dhe kryeministrja aktuale Julia Timoshenko do të përballen në balotazh muajin e ardhshëm për garën presidenciale.

Anketa tregon se zoti Janukoviç, ish-presidenti që ishte akuzuar se kishte manipuluar zgjedhjet e 2004-ës, ka siguruar 31 për qind të votave, ndërsa zonja Timoshenko pak më shumë se 27 për qind.

Presidenti pro-perëndimor Viktor Jushçenko duket se do të mbetet jashtë garës me rreth 6 për qind.

Ukrainasit votojnë sot në zgjedhjet presidenciale që cilësohen si tepër të rëndësishme për vendin. Votuesit shkuan sot në qendrat e votimit ndërsa anketat e opinionit tregojnë se ish kryeministri Viktor Janukoviç, kandidat pro-rus i akuzuar për vjedhjen e votave në vitin 2004, kryeson garën. Kryeministria e tanishme pro-perendimore Julia Timoshenko radhitet e dyta. Presidenti Viktor Jushçenko i cili erdhi në pushtet në vitin 2004 pason garën që pritet të shkojë në balotazh.

Ukrainasit hodhën votat e tyre në zgjedhjet e para presidenciale që nga Revolucioni Portokalli i vitit 2004, zgjedhje që mund ta kthejnë vendin nga kursi pro-Bashkimit Evropian tek lidhjet historike me Rusinë.

Por pesë vjetë pasi revolucionit Portokalli ngriti shpresat për reforma ekonomike dhe politike, shumë votues ukrainas presin pak nga zgjedhjet e sotme presidenciale.

Një anketë e fundit tregon se shumica e votuesve janë të shqetësuar se zgjedhjet mund të manipulohen.

Presidenti i Gjeorgjisë Mikhail Saakashvili dërgoi dje vëzhgues në qytetin Donetsk të Ukrainës lindore.

Saakashvili po mbështet zonjën Timoshenko duke dërguar të paktën 152 vëzhgues në bazën elektorale të zotit Janukoviç.

Kundërshtarët e kryeministres Julia Timoshenko publikuan një kasetë këtë javë të një bisede mes saj dhe Saakashvilit në të cilën ai thotë se do të dërgojë 2 mijë vëzhgues gati për betejë për të monitoruar garën.

Disa e kanë interpretuar këtë koment si një premtim për mbështetje të Timoshenkos në protestat pas-zgjedhore.

Zëdhënës të të dy palëve nuk pranuan të komentojnë dhe vërtetësia e kasetës nuk është konfirmuar.

Viktor Jushçenko reagoi ashpër ndaj mbërritjes së vëzhguesve gjeorgjianë.

“Më vjen keq që Gjeorgjia, po përdoret për manipulimin e zgjedhjeve në Ukrainë dhe vërteton edhe njëherë se cilët janë udhëheqësit tanë politik dhe në drejtimin ku po shkojmë”.

Disa ëndërrojnë nëse edhe një votim i ndershëm mund ta ndryshojë për mirë jetën pas vitesh paralize politike dhe recesioni të thellë ekonomik.

Në një anketë të opinionit në dhjetor, vetëm 34 përqind e ukrainasve prisnin që zgjedhejt të ishin të drejta ndërsa 57 përqind thanë se rezultatet do të manipulohen.

Si pjesë e një përpjekje ndërkombëtare për të nxitur besimin tek zgjedhjet vëzhguesit e huaj kanë vërshuar në mbarë Ukrainën për të monitoruar zgjedhjet.

Akuzat për manipulimin e zgjedhjeve në vitin 2004 çuan në protestat masive të Revolucionin Portokalli.

XS
SM
MD
LG