Lidhje

Politika e jashtme në vitin e parë të Presidentit Obama


Presidenti Obama premtoi një epokë të re në angazhimet ndërkombëtare amerikane dhe dërgoi përfaqësues të posaçëm për të trajtuar problemet kryesore të politikës së jashtme gjatë vitit të parë të administratës së tij. Megjithatë, viti i tij i parë në këtë post mund të mbahet mend më mirë për konsultimet e tejzgjatura të Shtëpisë së Bardhë që çuan në vendimin e dhjetorit për shtimin e numrit të trupave amerikane në Afganistan.



Që nga fillimi, zoti Obama dhe Sekretarja e tij e Shtetit Hillari Klinton premtuan një politikë të jashtme më pajtuese.

Duke folur me gazetarët pasi ishte emëruar si kryediplomatja e Uashingtonit, zonja Klinton shpjegoi se si do të ndryshonte politika e jashtme e administratës së re nga ajo e presidentit Xhorxh W. Bush.

“Ne e dimë se siguria jonë, vlerat dhe interesat tona nuk mund të mbrohen dhe të përparojnë vetëm me anë të forcës. Dhe jo vetëm nga amerikanët. Ne duhet të ndjekim një diplomaci të fuqishme, duke përdorur të gjitha mjetet për të ndërtuar një të ardhme me më shumë partnerë dhe më pak kundërshtarë.”

Zoti Obama dhe sekretarja Klinton emëruan diplomatë me përvojë për të trajtuar çështjet e vështira. Riçard Holbruk u zgjodh si përfaqësues i posaçëm për Pakistanin dhe Afganistanin.

Ndërsa ish kreu i shumicës në senat Xhorxh Miçell u emërua përfaqësues i posaçëm për konfliktin izraelito-palestinez.

Administrata u bë, për herë të parë, pjesëmarrëse e plotë në kontaktet e fuqive të mëdha me Iranin rreth programit të tij bërthamor dhe dërgoi një përfaqësues.

Stivën Bosuorth u dërgua në Korenë e Veriut në dhjetor për të nxitur rifillimin e bisedimeve mbi eliminimin e programit bërthamor të vendit. Por përparim nuk pati me asnjërin nga vendet.

Zoti Miçell bëri disa udhëtime në Lindjen e Mesme për të nxitur Izraelin dhe palestinezët të ktheheshin në tryezën e negociatave. Por edhe kjo përpjekje nuk pati sukses.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu nuk pranoi ndalimin e plotë të vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara, që ishte kërkesë e palestinezëve.

Ndihmës sekretari i Shtetit Kërt Kembell udhëtoi për në Birmani. Pas vizitës, krerët ushtarakë të Birmanisë i bënë disa lëshime udhëheqëses së ndaluar birmaneze të demokracisë Aung San Su Ki, megjithëse ajo është ende në arrest shtëpie.

Përpjekjet që nuk dhanë rezultate u kritikuan nga konservatorët, të cilët e akuzuan presidentin se po tregohej naiv.

Ish zyrtari i administratës Regan, Riçard Perl, kritikoi kryesisht përpjekjet ndaj Iranit, në një kohë kur Teherani po shtypte protestuesit dhe udhëheqësit e opozitës.

“Kur i zgjat dorën disa herë Iranit, ndërkohë që ai vazhdon punën për prodhimin e armëve bërthamore, vazhdon të mbështesë terrorizmin në disa vende dhe të destabilizojë Lindjen e Mesme, dhe ndërkohë që keqtrajton qytetarët e tij, atëherë ti u dërgon atyre një mesazh.”

Zoti Obama theksoi gjatë fushatës presidenciale se nuk ishte dakord me luftën në Irak.

Por si president, ai humbi mbështetjen e disa përkrahësve të rëndësishëm me vendimin e tij në dhjetor për të shtuar numrin e trupave në Afganistan.

Vendimi pasoi një rishikim të gjerë të politikës e cila u kritikua nga ish nënpresidenti Dik Çeni si e lëkundur.

Presidenti iu përgjigj kritikëve në një fjalim në Akademinë Ushtarake Amerikane në Uest Point.

“Ky rishikim më ka bërë të ngre pyetjet e vështira dhe të shqyrtoj alternativat e ndryshme,” tha ai.

Sekretarja Klinton udhëtoi në të gjithë globin për të ndrequr marrëdhëniet, megjithëse deklarata si ajo që bëri në Pakistan, ku kritikoi përkushtimin e vendit në luftën kundër militantëve, larguan shumë njerëz atje.
Ajo e vuri theksin tek strategjia e re e pushtetit të mençur ku ndihmat e zhvillimit duhet të bëhen kolona kryesore e politikës së jashtme amerikane, krahas mbështetjes ushtarake dhe diplomatike.

XS
SM
MD
LG