Lidhje

Prishtinë, zjarr në ish Pallatin e mediave, pak dëme materiale


Një zjarr ka shpërthyer sot në objektin e ri qeveritar në Prishtinë, i cili deri vonë njihej si pallati i mediave. Shkaqet e këtij zjarri i cili kaloi pa pasoja në njerëz ende nuk dihen thanë zyrtarë të policisë të cilët kanë filluar hetimet intensive rreth këtij rasti.

Policia tha se dëmet materiale janë të vogla, ndërsa është herët të thuhet çfarëdo për hollësitë e zjarrit i cili është shuar shumë shpejt.

Përurimi i objektit të ri qeveritar u bë më 18 nëntor të vitit që lamë pas, ndërsa punimet për përshtatjen e tij kishin kushtuar rreth 15 milion euro.

Deri pak kohë pas luftës në Kosovë, ky pallat njihej si pallati i mediave ku ishin vendosur redaksitë e gazetave e revistave kryesore të kohës, e më pastaj edhe redaksitë e disa mediave elektronike.

Vendimi për shndërrimin e tij në objekt qeveritar pasoi mungesën e godinave të mjaftueshme qeveritare gjë që kishte bërë që një pjesë e madhe e ministrive të vendoset në objekte private me qira të larta që kishin nxitur mjaft reagime në vend.

Ndonëse përurimi është bërë dy muaj më parë ende asnjë nga katër ministritë që ishin planifikuar të vendosen në këtë pallat nuk ka filluar punën aty.

XS
SM
MD
LG