Lidhje

Kabuli tronditet nga shpërthime dhe shkëmbime zjarri


Në kryeqytetin Afgan, Kabul, pati një numër shpërthimesh gjatë orëve me trafik të mëngjesit si dhe shkëmbime zjarri me policinë, nga të cilat u vranë 5 vetë duke përfshirë edhe një fëmijë.

Të paktën 38 civilë dhe policë u plagosën.

Sipas zyrtarëve, 7 persona të dyshuar si talebanë ndërmorën një ofensivë kryesisht ndaj ndërtesave qeveritare në qendër të Kabulit si dhe ndaj hotelit luksoz Serena. Forcat e sigurimit shkëmbyen zjarr me militantët për disa orë me radhë në një qendër tregtare që ishte përfshirë nga flakët.

Një zëdhënës i Talebanit më pas mori përgjegjësinë për sulmin duke thënë se në të morën pjesë 20 militantë. Gazeta New York Times citon zëdhënësin sipas të cilit sulmi tregon se Talebani nuk është i gatshëm për të biseduar.

Zyrtarët thonë megjithë sulmet e sotme, militantët nuk arritën të marrin nën kontroll ndërtesat qeveritare. Rreth 3 orë pas sulmeve, Presidenti Hamid Karzai tha se qyteti ndodhet përsëri nën kontrollin qeveritar.

I dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin, Richard Holbrooke, i cili ishte larguar pak më parë nga Kabuli për një vizitë në Nju Deli, i dënoi sulmet, të cilat i quajti vepër të njerëzve të dëshpëruar dhe të pamëshirshëm. //ii

XS
SM
MD
LG