Lidhje

Ushtria amerikane shton praninë në Haitin e goditur nga tërmeti


Ushtria amerikane e ka shtuar praninë e vet në Haiti, një javë pas tërmetit vdekjeprurës në atë vend, ndërsa Kombet e Bashkuara ranë dakord se edhe ato do të dërgojnë trupa shtesë, për të ndihmuar në ruajtjen e sigurisë dhe të për pjekje të shpëtimit.

Sot helikopterët amerikanë zbritën në oborrin e pallatit presidencial të shkatërruar në kryeqytetin Port au Prince, për dislokimin e trupave dhe të ndihmave. Një grup ushtarësh erdhën për të siguruar spitalin kryesor të vendit, ku ekipi i mjekëve janë të mbingarkuar me punë për shkak të numrit të madh të të plagosurve.

Ndërkohë, në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi sot njëzëri për të dërguar 3 mijë e 500 trupa dhe forca policie shtesë për të mbështetur përpjekjet paqeruajtëse në Haitin e shkatërruar nga tërmeti.

Shefi i misionit paqeruajtës të OKB-së, Alain Le Roy, tha se trupat shtesë do të përdoren për të mbrojtur autokolonat me njerëz.

Po ashtu, ushtria amerikane ka filluar të hedhë nga ajri për herë të parë ushqime dhe ujë për të mbijetuarit e tërmetit në Haiti në përpjekje për të përballuar dyndjet në aeroport dhe pengesat e tjera për shpërndarjen e ndihmave.

Një aeroplan amerikan hodhi më shumë se 14 mijë paketa të gatshme ushqimore dhe 15 mijë shishe uji në veri të kryeqytetit Porto Princ.

Sipas vlerësimeve zyrtare, tërmeti ka vrarë rreth 200 mijë njerëz dhe ka prekur rreth 3 milionë vetë, rreth një e treta e popullsisë së Haitit.

XS
SM
MD
LG