Lidhje

Një operetë e re me subjekt nga zgjedhja e Presidentit Obama


Përvjetori i parë i Presidentit amerikan në detyrë duket se nuk ka mbetur jashtë vëmendjes edhe të evropianëve. Dje, në Gjermani u dha premiera e operetës kushtuar fushatës së Barak Obamës, “Yes, we can”.

Në operetë përfshihen këngë dashurie që presidenti ia kushton bashkëshortes së tij Michelle, si dhe duete me Hillari Clintonin. Në operetë janë përfshirë edhe John McCain dhe Sarah Palin, me aktorë që interpretojnë kandidatët republikanë të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.

Në operetën e titulluar “Shpresë-një histori muzikore për Obamën” interpretojnë 30 këngëtarë, aktorë dhe kërcimtarë. Pjesa që u shfaq në sallën e koncerteve të Frankfurtit, është një gërshetim dy-gjuhësh i gjermanishtes dhe anglishtes. Publiku mund të dallojë qartë se në shumë këngë citohen fragmente nga fjalimet që u mbajtën gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008.

Në Gjermani vazhdon të mbetet i gjallë optimizmi për Barak Obamën, edhe një vit pasi ai u zgjodh Presidenti i parë me ngjyrë i Amerikës. Opereta është një bashkëpunim i skenaristit amerikan Randall Hitchins dhe producentit italo-gjerman Roberto Emmanuele, të cilët kanë kombinuar stile të ndryshme muzikore, si pop, soul, muzikë kishtare, e deri hip hop dhe rock and roll.

Aktori Jimmie Wilson interpreton Barak Obamën. Ai thotë se është optimist se opereta do të zhvillojë turne edhe në qytete të tjera. Presidentit amerikan i janë kushtuar edhe dy opereta të tjera, “Obama në mendjen time” në Londër dhe “Opereta Obama” në Nairobi të Kenias. //ad//

XS
SM
MD
LG