Lidhje

Trupa të tjera amerikane ri-dislokohen në Haiti



Zyrtarët amerikanë të ushtrisë thanë se një forcë amfibe prej 4 mijë detarësh dhe marinarësh do të ndryshojë dislokimin e planifikuar dhe do të dërgohet në Haiti për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit nga tërmeti.

Një njësi e ngjashme filloi të dislokohet në pjesën perendimore të kryeqytetit të shkatërruar të Port-o-Princit të martën. Dislokimi i ri do ta çojë numrin e forcave amerikane në Haiti në gati 14 mijë trupa.

Presidenti Barak Obama i tha televizionit ABC gjatë një interviste dje se Shtetet e Bashkuara nuk mund të injorojnë gjendjen në Haiti.

Presidenti tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë që përpjekjet e tyre të shpëtimit të duken sikur po marrin nën kontroll vendin e Karaibeve. Zoti Obama tha se kërkon të sigurojë se Amerika shfaq forcën e saj në botë, jo vetëm kur është në luftë.

Një tërmet i fuqishëm tronditi përsëri Haitin të mërkurën, duke i dërguar në rrugë banorët e tmerruar dhe duke rrëzuar disa godina të shkatërruara nga tërmeti i javës së kaluar me magnitudë 7 ballë.

Tërmeti i dytë 5 presje 9 ballë shtoi traumën e shkaktuar nga tërmeti i 12 janarit që shkatërroi kryeqytetin, Port-o-Prince dhe zonat përreth duke lën qindra mijëra të vdekur apo të pastrehë.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton u tha gazetarëve në Departamentin e Shtetit se zyrtarët po e monitorojnë nga afër impaktin e tërmetit të dytë që shkatërroi një skelë që do të përdorej për të trajtuar pacientët.

Tërmeti u ndje në anijet e marinës amerikane USNS Comfort që përdoret si spital e cila mbërriti në Haiti dje paradite dhe ka filluar të pranojë të mbijetuar të plagosur për tu kuruar.

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë gjithashtu një anije të ndërtuar për të pastruar rënojat që bllokojnë portin kryesor në Port-o-Princ. Këto rrënoja kanë ndaluar anijet e mëdha me ushqime dhe furnizime jetësore.//rd//


XS
SM
MD
LG