Lidhje

Stili presidencial i Barak Obamës


Në vitin e tij të parë në detyrë, Barak Obama ka krijuar një stil presidencial të veçantë, një mënyrë qeverisjeje që ka marrë formë nga përvojat e jetës. Çfarë e karakterizon këtë stil dhe si është pritur nga publiku?

Presidenca e tij filloi në sytë e një turme prej një milionë vetash. Por kur brohoritjet mbaruan, atij i duhej të merrej me disa kriza njëherësh: ekonomia dhe dy luftra jopopullore.

“Në rrethana normale, një president ka dy ose tre probleme të mëdha: ne kemi shtatë ose tetë”.

Dhe ndërsa përballej me këto sfida, doli në pah një stil presidencial. Ai filloi të njihej si Obama pa drama, konstant dhe i rezervuar. Banorët e Havait, e dallojnë këtë stil.

“Qetësia dhe përmbajtja e tij janë tipare të Havait”.

Kulei Stokman thotë se zoti Obama, i pari president i lindur në Havai ka sjellë në Shtëpinë e Bardhë, kulturën dhe mentalitetin e ishullit.

“E shohim çdo ditë një gjë të tillë, në fjalimet e tij. Ai jeton, ushqehet dhe merr frymë me kulturën e alohas”.

Aloha do të thotë pikërisht “frymëmarrja e jetës”. Kultura e alohas është një ndjenjë komuniteti, një besim se të gjithë duhet të merren vesh.

“Bëhet fjalë për një stil që vjen nga ishulli”.

Ken Uolsh ka ndjekur presidencën e zotit Obama për revistën US News and World Report.

“Ai e sheh veten si një njeri që nuk hyn në konflikte. Ai përpiqet të jetë shumë metodik dhe gjithëpërfshirës dhe kjo vjen nga përvoja e Havait”.

Analisti Uolsh thotë se mund ta shohësh përvojën e Havait gjatë gjithë jetës së Barak Obamës, duke filluar që nga roli i tij si organizator komuniteti në Çikago.

“Ai ishte dikush që përpiqej t’i bënte njerëzit të punonin për veten e tyre dhe që gjithkush të kontribuonte”.

E njëjta prirje gjithëpërfshirjeje u bë edhe më e dukshme kur ishte student dhe profesor i drejtësisë. Atje ai përpunoi aftësitë e tij për vendim-marrje dhe zgjidhje problemesh. Den Xhonson-Uainberger ishte një nga studentët e tij në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Çikagos.

“Ai me të vërtetë nxiste diskutimin. Kishte një ndjesi që nëse nuk merrje pjesë në dikutim, nuk plotësoje kërkesat për klasën. Klasat e tjera funksiononin ndryshe, duke pasur në qendër profesorin”.

Xhonson-Uainberger thotë se Barak Obama i inkurajonte studentët të shqyrtonin të gjitha aspektet e një çështjeje dhe të nxirrnin gjithë informacionin që mundeshin.

“Nëse ai i drejton mbledhjet e kabinetit, apo të këshilltarëve, ashtu siç organizonte mësimin, askush nuk mund të rrijë mënjanë pa folur dhe të bjerë dakord në fund. Mendoj se atyre u kërkohet që t’i shprehin me forcë argumentat e tyre. Me respekt dhe pa druajtje”.

Këshilltarët kryesorë të zotit Obama thonë se Shtëpia e Bardhë funksionon sipas këtij modeli. Në vendim-marrjen e tij, Barak Obama është si jurist që shqyrton një çështje. Dhe në komentet e tij publike, ai është si mësuesi i përgjithshëm.

Martha Xhoint Kumar, profesore e shkencave politike në Universitetin e Tausonit, dallon tonin e një kolegu tek zëri i tij.

“Pa dyshim, sepse atij i pëlqen të merret me çështjet më të gjera dhe të gjejë lidhjet mes argumentave dhe kjo është e dukshme. Është e qartë edhe në shpjegimin që i bën gjërave. Atij i pëlqen të jetë në situata ku mund të flasë për të gjitha aspektet e një çështjeteje”.

Çdo president pasqyron gërshetimin e përvojave të tij të kaluara. Në rastin e Barak Obamës, ato kanë krijuar një stil presidencial të veçantë, për të cilin kritikët thonë se është shumë i distancuar dhe pa pasion. Ajo që e dallon Barak Obamën, është se ai do ta vërë në jetë premtimin për ta ndryshuar Amerikën, parashikon se Barak Obama

“Ai do t’i ruajë tiparet që e kanë udhëhequr deri tani në karrierën e tij politike”.

Pyetja kryesore ndërsa ai hyn në vitin e dytë në detyrë, është nëse tiparet që e bënë president, do të japin rezultatet për të cilat ai ka nevojë. //ad//

XS
SM
MD
LG