Lidhje

Ukrainë: Revolucioni portokalli dhe idealet e tij


Presidenti ukrainas Viktor Jushçenko pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e së dielës, pasi votuesit e braktisën atë nën idenë se kishte tradhëtuar idealet e Revolucionit Portokalli të vitit 2004 që e solli atë në pushtet.

Dikur, mijëra veta brohorisnin emrin e Viktor Jushçenkos më Sheshin e Pavarësisë së Kievit, i njohur si Meidan. Meidani tani nuk ka kuptimin e thjesht një vendi, por një ngjarje historike që përfaqëson shpresat për një qeveri të ndershme dhe një ekonomi të begatë.

Petro ka marrë pjesë në Revolucionin Portokalli. Ai thotë se Meidani është thuajse i shenjtë.

"E gjithë bota dinte për Revolucionin Portokalli në Kiev. Por tani gjithçka është kthyer aty ku ishte. Të gjithë u shpërndanë, ca i morën të gjitha dhe aty mbeti." - thotë ai

Shumë votues thonë se mes tyre ishte edhe zoti Jushçenko dhe pjesëtarët e administratës së tij. Votuesit dyshojnë se edhe aleatja e presidentit gjatë Revolucionit Portokalli dhe tani rivale e tij, kryeministrja Julia Timoshenko është e korruptuar. Dhe ish kryeministri Viktor Janukoviç, kandidati me të cilin do të përballet në balotazhin e 7 shkurtit, është gjithashtu i përlyer. Një vendim i Gjykatës së Lartë të Ukrainës konstatoi se kandidatura e tij për president në vitin 2004 ishte plot manipulime.

Në vitin 2004 njerëzit u binin daulleve dhe kërcenin nëpër rrugë duke shpresuar të kishin udhëheqës të ndershëm dhe një ekonomi të fortë. Por zgjedhjet e vitit 2010 u zhvilluan mes dyshimeve se asnjëra nga këto dy gjëra nuk do të ndodhte.

Fizikanti i kthyer në biznesmen Bohdan Markeviç thotë se krerët e Revolucionit Portokalli duhet të mendojnë se përse njerëzit janë zhgënjyer.

"Një gjë dua të them në mbrojtje të tyre, se ata bënë çfarë mundën. Kundërshtarët e tyre nuk duhet të gëzohen me zhgënjimin tonë, duke menduar se do të mbështesim ata. Jo, ne vazhojmë të besojmë se Ukraina duhet të jetë një vend me dinjitet." - thotë z. Markeviç

Zoti Markeviç thotë se Meidani do të tërheqë përsëri pjesëmarrës të rinj. Ai beson se Revolucioni Portokalli vazhdon të jetë synimi i njerëzve që duan demokraci në Rusi dhe në ish republikat sovjetike.

Eksperti ukrainas i shkencave politike Oleksi Haran foli për Zërin e Amerikës mbi këtë çështje. Zoti Haran thotë:

"Revolucioni solli shumë gjëra. Solli demokracinë, lirinë e fjalës, dhe zgjedhje demokratike, si rezultat i të cilave qeveria dhe opozita shkëmbejnë pushtetin."

Megjithatë, Meidani ende duhet të përmbushë premtimet ekonomike dhe morale.

Dhe ukrainasit ende duket se besojnë që Revolucioni Portokalli vendosi standarte të larta sipas së cilave do të gjykohen politikanët e vendit këtë vit dhe pas tij. //mm//


XS
SM
MD
LG