Lidhje

Gjukanoviç: Mali i Zi luan një rol të rëndësishëm në stabilitetin rajonal


Mali i Zi ka luajtur një rol të rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin rajonal në Ballkan, tha kryeministri malazez Millo Gjukanoviç. Ai i bëri komentet gjatë takimi të organizuar në Universitetin Xhons Hopkins në Uashington. Zoti Xhukanoviç tha se pavarësisht nga përbërja shumë-etnike e Malit të Zi, vendi i tij ka arritur të ruajë harmoninë duke u dhënë mundësinë pakicave të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre.

Tre vjet e gjysëm pas shpalljes së pavarësisë, Mali i Zi ka arritur të sigurojë pozitën e tij si vend i stabilizuar në Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2006, ku përmes një referendumi, ish republika jugosllave u shkëput nga Federata Serbi – Mal i Zi, ai ka pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike, me investime dinamike dhe ku papunësia ka rënë në rreth 10 përqind.

Kryeministri i vendit Millo Gjukanoviç thotë se stabiliteti dhe rikthimi i marrëdhënieve të mira mes vendeve të rajonit do të vazhdojë të jetë përparësi për vendin e tij dhe Ballkanin. Të gjitha çështjet e tjera janë më pak të rëndësishme. Ai thotë se rajoni deri tani ka dështuar t’i zgjidhë shumë probleme vetë, sidomos për sa i përket marrëdhënieve mes pakicave të ndryshme etnike në rajon.

“Sipas mendimit tonë, mënyra më e mirë për zgjidhjen e këtyre problemeve është integrimi. Prandaj është e rëndësishme që NATO-ja dhe BE-ja t’i mbajnë dyert e hapura për vendet e Ballkanit Perëndimor.”

Standartet për anëtarësim në organizatat euro-atlantike nuk duhet të merren si të mirëqëna, por duhen përmbushur patjetër. Por, në të njëjtën kohë vendet e rajonit duhet të kontribuojnë përmes marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, çka deri tani nuk është arritur në nivelin e duhur. Zoti Gjukanoviç thotë se Mali i Zi ka ofruar një shembull të vlefshëm në këtë drejtim si edhe në funksionimin e suksesshëm të një shteti shumë-etnik.

“Në rajon kemi bërë hapa që kemi besuar se do të kontribuonin në interesin më të mirë të rajonit. Ne morëm vendimin të njohim Kosovën, dhe pastaj të vendosnim marrëdhënie diplomatike me të. Dhe e gjithë kjo ka qenë në përputhje me vizionin tonë për stabilitet në rajon dhe për perspektivën e tij euro-atlantike,” tha zoti Gjukanoviç.

Kryeministri malazez u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në zgjidhjen e të gjitha problemeve që ekzistojnë tani si ato në Bosnjë, apo të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Maqedonisë dhe Greqisë etj. Zgjidhja e këtyre çështjeve është qenësore për stabilitetin rajonal dhe përparimin ekonomik dhe demokratik të Ballkanit, tha ai.

Gjatë vizitës së tij disa ditore në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Gjukanoviç zhvilloi takime të nivelit të lartë, duke përfshirë një takim me Sekretaren Amerikane të Shtetit Hillari Klinton, e cila bëri të njohur një paketë ndihmash për Malin e Zi, si dhe me zëvendës presidentin Xhozef Bajden. //bsa//

XS
SM
MD
LG