Lidhje

Haiti: Shtohen përpjekjet për të ndihmuar sa më shumë të mbijetuarit


Punonjësit e ndihmave në Haiti po përqendrohen tek ndihma për qindra mijëra të mbijetuarit, të cilët ndodhen në gjendje të dëshpëruar.

Që nga e mërkura, kur u gjet personi i fundit nën rrënoja, nuk ka më shpresa për të mbijetuar. Përveç rreth 200 mijë personave të vdekur, rreth 1,5 milionë njerëz kanë mbetur pa shtëpi dhe po jetojnë në kampe të mbipopulluara, ku kushtet e higjienës nuk ekzistojnë fare, ose janë shumë të këqia.

Organizata "Mjekët pa kufij" thotë se shumë pacientë të plagosur kanë vdekur për shkak të infektimit të plagëve. Në anijen-spital të marinës amerikane USNS Comfort janë kuruar një numër i madh njerëzish që nga e mërkura, kur ajo mbërriti në Haiti.

Përpjekjet e ndihmave po pengohen nga dëmtimi i rrugëve dhe i portit të kryeqytetit që u hap dje. Zyrtarët haitianë thonë se rreth 400 mijë banorë janë zhvendosur.

Tërmeti që shkatërroi Port-o-Prinsin ka ndikuar tek popullsia e vendit në shumë aspekte. Disa haitianë humbën pjesëtarë të familjes. Shumë të tjerëve ju shkatërruan shtëpitë dhe kursimet e tyre të të gjithë jetës.

Të tjerë tragjedia i ka prekur thellë në shpirt dhe po përpiqen me të gjithë forcën të gjejnë një fije shprese në këtë tragjedi të tmerrshme. Fotoreporteri Mike Burek u takua me një haitian në lagjen "La Croix des Mission", i cili vazhdimisht shtron pyetjen: përse ndodhi?

Xhef Ambroua ka mbijetuar nga tërmeti dhe thotë:

"Mësova papritur se jam me shumë fat, sepse ashtu sikurse të gjithë njerëzit, unë ndodhesha brenda në shtëpinë time. Por fatmirësisht nuk më ndodhi mua, por ndodhi me të tjerët.

"Unë shpëtova, por ndjehem pak fajtor, fajtor, kur i shoh të gjithë njerëzit që vuajnë, por pastaj i them jetës, kjo është pjesë e jetës."

"Po këndoj një këngë, për t'ju lutur Zotit për ato çka bën çdo ditë për mua".

"Një javë më pas e kuptojmë se duhet të vazhdojmë të jetojmë, në fakt të mbijetojmë; kuptojmë se ekziston një mënyrë për të mbetur gjallë dhe për të shkuar përpara..."

"E dimë se do të ndeshemi çdo ditë me shumë probleme, me skamjen, urinë, papunësinë ... por do të përpiqemi ta jetojmë jetën nga dita në ditë. Në fakt, unë jam një njeri me fat, që ndodhem sot këtu dhe flas me ju...." - rrëfen i mbijetuari i tëmetit të Haitit Xhef Ambroua. //mm//

XS
SM
MD
LG