Lidhje

SHBA, BE, bashkëpunim për sigurinë ajorore


<!-- IMAGE -->

Zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë rënë dakord për të punuar më afër në parandalimin e përpjekjeve të sulmeve terroriste ndaj avionëve ndërkombëtar, siç ishte sulmi i dështuar i muajit të kaluar ndaj një avioni amerikan. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Briant na sjell më shumë hollësi nga Parisi për takimet e mbajtura në Spanjë.

Sekretarja amerikane për Sigurinë Kombëtare, Xhanet Napolitano thotë se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për të përforcuar bashkëpunimin në katër fusha të rëndësishme kur flitet për sigurinë e fluturimeve dhe aeroporteve.

“Një nga fushat është grumbullimi dhe analizimi i informacioneve. Së dyti, është shpërndarja e këtij informacioni. Bashkëpunimi në çështje si verifikimi i pasagjerëve. Së treti, duhet të rriten standardet ndërkombëtare të fluturimeve përmes një bashkëpunimi të ngushtë. Dhe së katërti, është zhvillimi dhe angazhimi për të vënë në veprim teknikat më të mira të kontrollit dhe teknologjisë informative.”

Zonja Napolitano foli me gazetarë gjatë takimit me ministrat e brendshëm të Evropës në Toledo të Spanjës. Takimet u zhvilluan një muaj pasi një nigerian u përpoq të ndizte një bombë ndërkohë që po fluturonte me një avion amerikan i cili u nis nga Hollanda. Terroristët e al-Kaidës po ashtu kanë përdorur avionet në sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara në vitin 2001.

Shqetësimet mbi sigurinë u shtuan të mërkurën kur një aeroport në Munih u mbyllë përkohësisht pasi kompjuteri i një pasagjeri vuri alarmin që tregon se mund të kishte eksplozivë. Ky incident shkaktoi një numër anulimesh dhe vonesa të fluturimeve.

Uashingtoni po nxit përdorimin e aparaturave për skanimin e trupit në të gjitha aeroportet. Zonja Napolitano tha se 450 aparatura të tilla do të vendosen në aeroportet e Shteteve të Bashkuara deri në fund të këtij viti, në krahasim me 40 që gjenden sot. Por vendet e BE-s janë të ndara rreth përdorimit të këtyre aparaturave për skanim të trupit, që disa kritikë i kanë cilësuar ato si të bezdisshme.

Zonja Napolitano tha se aparaturat për skanim të trupit janë vetëm një mundësi nga një varg pajisjesh për sigurinë. Ajo që ka rëndësi, tha ajo, është parandalimi i al-Kaidës për të ndërmarr ndonjë sulm terrorist.

“Al-Kaida kërkon të ndërrmarr sulme terroriste. Ne dëshirojmë që të mos u japim atyre një mundësi të tillë. Ajo që duhet të bëjmë është të punojmë së bashku për të zvogluar çfardo rreziku për qytetarët e të gjitha vendeve tona nga terroristët të cilët synojnë që të kenë sukses me këto sulme. Është e qartë se ata kanë synime të tilla”.

Ministri i brendshëm i Spanjës, vendi i së cilit kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, tha se BE-ja ka nevojë për të dalë me një qëndrim të përbashkët rreth çështjes së aparaturave për skanim të trupit dhe të përshpejtojë krijimin e një sistemi të përbashkët të sigurisë për Evropën.

XS
SM
MD
LG