Lidhje

Obama: Nuk do të ndaloj përpjekjet për krijimin e vende të punës


Fjalimi energjitik i presidentit Obama në një kolegj në afërsi të Klivlendit kishte atmosferën e një tubimi elektoral. Presidenti u tha të pranishmëve se pengesat politike nuk do ta ndalojnë atë për të çuar përpara agjenden e tij.

“Nuk do të ndaloj së luftuari për ju. I pranoj pengesat por nuk do të ndaloj luftën për të hapur vende pune këtu. Nuk do të ndaloj së luftuari për një ekonomi ku puna e ndershme vlerësohet".

Në një zonë ku puna në fabrika është zhdukur dhe shifrat e papunësisë kanë tejkaluar normën e vendit, zoti Obama i bëri thirrje Kongresit që të miratojë projektplanin për krijimin e vendeve të reja të punës.

Presidenti pranoi se fitorja e së martës e një senatori republikan në Masaçusest i jep partisë kundershtare vota të mjaftueshme për të bllokuar planin për kujdesin shëndetësor dhe përparisë të tjera të demokratëve.

Por ai thotë se nuk do të tërhiqet nga lufta për të rregulluar kujdesin shëndetësor dhe se ai nuk u përqendrua në këtë çështje për të fituar më shumë përkrahje politike.

“Po mundohem të zgjidhë problemet me të cilat përballeni ju këtu në Ohio dhe njerëzit në mbarë vendin. Nuk do të dorëzohem sepse është e vështirë. Ne do të vazhdojmë punën për ta arritur këtë, me demokratët dhe shpresoj me republikanët, kushdo që do të pranojë".

Presidenti Obama mbrojti përpjekjet e tij për forcimin e ekonomisë amerikane, çfarë përfshiu lëvizje jo shumë të pëlqyera nga masat për të ndihmuar bankat dhe auto-industrinë.

Ai përseriti një përpjekje të tij më popullore për të reformuar industrinë financiare amerikane dhe mbajtjen më përgjegjës të drejtuesve të bankave.

“Dua të vë disa rregulla që kur këta njerëz të marrin vendime të gabuara të mos përdoren paratë e taksapaguesve për t’i nxjerrë ata nga situata".

Presidenti Obama qeshi dhe shkembeu shaka gjatë fjalimin dhe më parë kur vizitoi laboratorin e turbinës me erë të kolegjit.

Po ashtu presidenti beri një ndalesë të paparashikuar në një restorant aty pranë, ku zhvilloi një bisedë të shkurtër me një burrë 98 vjeçar. Shteti i Ohajos që ka një përbërje të përzierë politike, shpesh është vendimtar për fushatat presidenciale. Dhe mbështetja e publikut për presidentin Obama ka rënë ndërkohë që papunësia në Amerikës sillet rreth 10 përqindëshit. (ze)

XS
SM
MD
LG