Lidhje

EULEX: Do të rifillojë procesi gjyqsor i Albin Kurtit


Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë paralajmëroi rifillimin e procesit gjyqësor kundër udhëheqësit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Zyrtarë të këtij misioni thanë se procesi do të fillojë me 15 shkurt në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Ata thanë se ky është një vazhdim i procesit gjyqësor që kishte nisur në vitin 2007, derisa UNMIK-u mbikëqyrte sistemin e drejtësisë, ndërsa procesi qe pezulluar meqë asnjë avokat nuk pranonte ta mbronte zotin Kurti.

Zoti Kurti, akuzohet për siç thuhet pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra kriminale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtar në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë. Të gjitha akuzat kanë të bëjnë me ngjarjet 10 shkurtit të vitit 2007 në Prishtinë kur dy persona humbën jetën ndërsa dhjetëra u plagosën pas ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë protestuesit që kundërshtonin negociatat për statusin e Kosovës.

Një prokuror amerikan i cili hetoi zhvillimet e asaj dite, tha se ishin pjesëtarët e policisë rumune që vepronin në kuadër të UNMIK-ut përgjegjës për vrasjen e dy të rinjve që ishin qëlluar me plumba kauçuku me afat të skaduar.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për opinion e ka cilësuar riaktivizimin e procesit gjyqësor ndaj drejtuesit të saj Albin Kurti si një proces të montuar politik.

XS
SM
MD
LG