Lidhje

E pasigurt e ardhmja e kompanisë "Google" në Kinë

  • Mil Arcega

E ardhmja e kompanisë Google, motori më popullor i kërkimit në Internet, nuk është e sigurt në Kinë. Google tha se është gati t’u japë fund operacioneve të saj në Kinë pas disa sulmeve kundër llogarive të e-mailit që u përkasin aktivistëve kinezë të të drejtave të njeriut. Megjithë kontrollet e rrepta që Kina ka vënë mbi përdorimin e Internetit nga qytetarët e saj, Google ka thënë se nuk do të lejojë më që rezultatet e kërkimit nga qytetarët kinezë në motorin e saj të censurohen edhe nëqoftëse kompania heq dorë nga tregu kinez i Internetit që është më i madhi në botë.

Me më shumë se 380 milion përdorues, Kina është tregu më i madh i botës përsa i përket internetit.

Ajo ka gjithashtu numrin më të madh në botë të përdoruesve të telefonisë celulare.

Por Google, motori më i madh i kërkimit në internet e ka shtyrë prezantimin e telefonit të saj të ri celular në Kinë, një shenjë kjo e vazhdimit të polemikave të saj me këtë vend.

Vendimi erdhi pas njoftimit të firmës Google se disa nga llogaritë e saj të e-mailit ishin kontrolluar nga të tjerë dhe se këto sulme e kishin oprigjinën në Kinë. Disa nga këto llogari i përkisnin aktivistëve të të drejtave të njeriut.

Ministri i jashtëm i Kinës, Jang Gje Çë mohoi se qeveria kishte dorë por tha se Kina rezervon të drejtën e mbrojtjes së qytetarëve të saj.

"Në bazë të kushtetutës kineze dhe rregullave të tjera, ne duhet të ruajmë stabilitetin e vendit dhe të mos lejojmë gjëra që dëmtojnë shëndetin mendor dhe fizik të qytetarëve tanë."

Google në të kaluarën ka bashkëpunuar me qeverinë kineze për të censuruar rezultatet e kërkimit në Internet mbi subjekte të tilla delikate si masakra e Tienanmenit apo Dalai Lama.

Por kompania tha se në të ardhmen nuk do ta bëjë më këtë.

Zyrtari i çështjeve ligjore pranë firmës Google, David Drummond thya se kompania kishte shumë shpresa kur hapi zyrën e saj në Kinë katër vjet më parë.

"Ne shpresojmë për një mjedis më të hapur. Në fakt ne shpresonim se do të inkurajonim një mjedis të tillë me praninë tonë në Kinë por kjo nuk ndodhi."

Nëse javët e ardhëshme nuk arrihet kompromis, kompania thotë se është gati ta mbyllë zyrën e saj në Pekin.

Komentatori kinez i Internetit, Kaiser Kuo thotë se kjo do të ishte një humbje e madhe për kompaninë Google por do të dëmtonte edhe qeverinë kineze, e cila krenohet me aftësinë e saj për të tërhequr investime të huaja.

"Në Kinë ka shumë kompani amerikane por humbja e kompanisë Google, e cila ka fuqinë e një simboli, kjo do të ishte një shuplakë për qeverinë."

Polemikat në fjalë shihen nga shumë kinezë si një pikë kthese në debatin mbi lirinë e Internetit.

Michael Anti, një blogues i njohur në Kinë, thotë se për disa, Google është bërë simboli i aksesit të lirë ndaj informacionit:

"Mendoj se ajo simbolizon shijen e lirisë sepse më parë, kur përmendnin demokracinë, kinezët gjithnjë thoshin, “është demokraci amerikane”, por tani, kur thua “liri e fjalës”, ne e dimë se kjo është liria jonë e fjalës. Pse? Sepse këtë na e dha interneti dhe Google."

Sipas njoftimeve, bisedimet mes Kinës dhe kompanisë Google vazhdojnë. Disa analistë thonë se nëse Google tërhiqet, kjo mund të keqësojë tensionet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Kjo gjithashtu mund t’ja bëjë të vështirë firmës Google të kthehet në tregun fitimprurës kinez.









XS
SM
MD
LG