Lidhje

Fatmir Mediu për herë të parë në Gjykatën e Lartë për çështjen e Gërdecit

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri Gjykata e lartë zhvilloi sot një seancë pajtimi mes ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe 12 vjecarit Roxhers Durda, i dëmtuar gjatë shpërthimit në fabrikën e municioneve të Gërdecit, i cili e akuzon zotin Mediu për plagosje të rëndë.

Sot ishte hera e parë që zoti Mediu paraqitej në Gjykatën e Lartë për çështjen e Gërdecit. Falë imunitetit parlamentar të fituar pas zgjedhjeve të 28 qershorit, me vendim të po kësaj gjykate, ai u la jashtë procesit gjyqësor për shpërthimin e fabrikës së municioneve.

Seanca me dyer të mbyllura ka zgjatur gjatë dhe në përfundim të saj i jati i 12 vjecarit Durda tha se nuk kanë pranuar ndjesën e zotit Mediu dhe kanë kërkuar vazhdimin e procesit. Një tjetër seancë e ngjashme do të zhvillohet sërish në Gjykatën e Lartë, duke qenë se zoti Mediu është paditur edhe nga një tjetër e dëmtuar e Gërdecit, Alketa Hazizaj. Më pas gjykata do të vendosë nëse do të nisë apo jo një proces gjyqësor dhe nëse po, ajo do të duhet të kërkojë heqjen e imunitetit për zotin Mediu.//lk

XS
SM
MD
LG