Lidhje

Ekonomia në qendër të fjalimit të Presidentit Obama


Presidenti Barak Obama mban sonte fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit, gjatë të cilit ai pritet të përqëndrohet tek ekonomia, në një kohë kur papunësia vazhdon të qëndrojë në 10 për qind dhe mbështetja e publikut për presidentin ka rënë.

Një prej propozimeve më të rëndësishme të presidentit, që është folur tashmë këtë javë, është ngrirja 3 vjeçare e shpenzimeve federale. Kjo bëhet në përpjekje për të mbajtur nën kontroll deficitin buxhetor që ka marrë përmasa gjigande.

Presidenti Obama e mban këtë fjalim para të dy dhomave të Kongresit dhe që si gjithnjë transmetohet drejtëpërdrejtë në gjithë vendin në televizion. Ai pritet gjithashtu të flasë edhe mbi përpjekjet kundër terrorizmit si dhe nismën e tij kryesore të politikës së brëdshme: reforma e kujdesit shëndetsor.

Në një intervistë që i dha këtë javë rrjetit televiziv amerikan ABC, zoti Obama përsëriti angazhimin e tij për zgjidhjen e sfidave më të vështira të vendit, pa marrë parasysh pasojat politike për të.

“Prandaj po përpiqem dhe nuk do të ndaloj këto përpjekje. Për sa kohë të jem president, nuk do të ndaloj përpjekjet e mija...”

Javën e kaluar, presidenti Obama e përdori shumë herë fjalën ‘fighting’ "përpjekje" kur foli në shtetin e Ohajos. Madje ai pritet të shprehë një vendosmëri të ngjashme sonte kur të mbajë fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit. Zoti Obama ka në plan ta shfrytëzojë këtë fjalim para Kongresit për të dhënë hollësi rreth nismave ekonomike për të ndihmuar klasën e mesme dhe për të hapur vende pune.

Javën e kaluar, Partia Demokrate e presidentit Obama pësoi një humbje të madhe politike në Massachusetts, ku elektorati demokrat është 3 herë më i madh se sa elektorati republikan. Republikani Scott Brown fitoi zgjedhjet për në Senatin amerikan, duke i dhënë partisë së tij republikane 41 anëtarë në senatin me 100 vende. Kjo u jep republikanëve pushtet për të bllokuar ose vonuar ligjet e propozuara nga demokratët, përfshirë reformën e kujdesit shëndetsor, një prej çështjeve kyçe të politikës së brëdshme të zotit Obama.Në një intervistë ekskluzive për rrjetin televiziv amerikan ABC, presidenti Obama tha se zbrapsje të tilla nuk e shqetësojnë.

“Një gjë e kam të qartë: Më mirë të jem një president shumë i mirë për 4 vjet se sa një president mediokër për 8 vjet. Dhe me të vërtet besoj në këtë”.

Gjatë fjalimit mbi gjendjen e vendit, presidenti Obama pritet të propozojë ngrirjen për 3 vjet të shpenzimeve për shumë programe të brëdshme në përpjekje për të ulur deficitin buxhetor, i cili vitin e kaluar arriti rekordin prej 1.4 trilion dollarë.

Dje, zyra jo partiake në Kongres lidhur me buxhetin llogarit se këtë vit deficiti do të arrijë në 1.35 trilion dollarë. Propozimi për ngrirjen e shpenzimeve pritet të kursejë rreth 250 miliardë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm. Ky propozim nuk përfshin shpenzimet e mbrojtjes, të veteranëve, sigurimit kombëtar dhe ndihmat e huaja.

Dje, senatori republikan, John McCain, e mbështeti planin, por jo pa kritikuar paketën e stimulimit ekonomik të zotit Obama.

“Ne duhet ta bëjmë këtë dhe mendoj se është e rëndësishme, prandaj edhe do ta mbështes. Por presidenti duhet të zotohet gjithashtu se do t’i vërë veton projekt-ligjeve që janë të mbushur me shpenzime, që favorizojnë ligjvënësit në një formë apo një tjetër”.

Presidenti Obama mund të përballet së shpejti me një provë tjetër të rëndësishme në Kongres. Kandidati i tij për postin e drejtorit të Bankës Qëndrore, Ben Bernanke për një mandat të dytë do të vendoset nga Senati. Kritikët e zotit Bernanke thonë se ai nuk arriti të parandalonte problemet që çuan në recesionin më të rëndë që prej disa dekadash. //ad//

XS
SM
MD
LG