Lidhje

Presidenti Obama diskuton sfidat në fjalimin e parë mbi gjendjen e vendit


Presidenti amerikan Barak Obama mbajti fjalimin e parë mbi gjendjen e vendit ku parashtroi politikat dhe synimet e tij për vitin në vazhdim.


Presidenti e përdori këtë fjalim për të lehtësuar shqetësimet rreth ekonomisë në vështirësi ndërkohë që u përpoq të bindte popullin amerikan për nevojën e reformave të tij ambicioze. Me presidencën e tij në udhëkryq, pas nivelit më të lartë të papunësisë në dekada, defiçitit dhe humbjes së mbështetjes së publikut, Barack Obama premtoi të zgjidh problemet ekonomike dhe të jetë udhëheqësi transformues që amerikanët besuan me zgjedhjen e tij në postin e presidentin. Ai tha se nuk ka qënë asnjëherë më optimist për të ardhmen e Amerikës por se demokratët dhe republikanët duhet të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e vendit.

"Përballemi me sfida të mëdha dhe të vërshtira. Ajo që shpreson populli amerikan dhe ajo që meriton ai është për të gjithë ne demokratët dhe republikanët të punojmë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona për të dalë mbi peshën mpirëse të politikës".

Duke deklaruar “nuk dorëzohem” presidenti premtoi në fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit të bëjë krijimin e vendeve të reja të punës përparësinë e tij kryesore dhe i bëri thirrje kongresit të ndarë të nxisë ekonominë me shpenzime të reja stimuluese.

Megjithë sprapsjen në reformën e kujdesit shëndetësor presidenti premtoi të luftojë duke thënë se në se reforma nuk miratohet në Kongres kostot e sigurimeve shëndetësore do të vazhdojnë të rriten dhe defiçiti do të shtohet.

Presidenti pranoi se vendi përballet me probleme dhe sfida serioze dhe se disa nga vendimet e tij kanë qënë politikisht jo popullore. Megjithatë ai tha se nuk do të heq dorë nga planet e tij ambicioze për të zgjidhur problemin e kujdesit shëndetësor, energjisë dhe edukimit.

Presidenti u mundua tu shtrijë dorën republikanëve duke thënë se ka ardhur koha për një bashkëpunim të ri dhe për të mos luftuar më të njëjtat beteja të lodhshme që kanë dominuar Washingtonin për dekada me radhe.

"Të investojmë tek njerëzit për të mos u lënë një mal me borxhe. Të përmbushim përgjegjësitë tona për qytetarët që na dërguan këtu. Të përpiqemi për synimin e përbashkët. Për ta bërë këtë duhet të kuptojmë se përballemi me më shumë sesa një defiçit të dollarit. Përballemi me defiçit të besimit".

Presidenti tha gjithashtu se administrata e tij ka sjellë përsëri në fokus kërcënimet terroriste. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po punojmë për të ndrequr boshllëqet në sistemin e zbulimit që lejuan përpjekjen për sulmin terrorist në një avion amerikan ditën e krishlindjeve.

Në çështjet ndërkombëtare, presidenti tha se edhe pse Shtetet e Bashkuara po luftojnë në Irak dhe Afganistan vendi përballet ndoshta me rrezikun më të madh për popullin – kërcënimin e armëve bërthamore. Ai tha se Korea e Veriut përballet me izolim në rritje dhe sanksione të fuqishme ndërsa Irani do të përballet me pasoja në rritje në se drejtuesit e tij vazhdojnë të injorojnë detyrimet ndërkombëtare.

Në planin e brendshmëm presidenti tha se do të punojë për të shfuqizuar një ligj që ndalon homoseksualët të shërbejnë në ushtrinë amerikane. Guvernatori i ri i sapoinaguruar i Virxhinias Bob McDonnell dha përgjigjen e republikanëve për fjalimin e presidentit Obama mbi gjendjen e vendit.

Zoti McDonnell tha se qeveria federale po përpiqet të bëjë shumë dhe ka shtuar borxhin kombëtar për gjeneratat e ardhshme. Ai tha se pa reforma rritja e madhe e qeverisë kërcënon lirinë dhe prosperitetin e vendit. //rd//

XS
SM
MD
LG