Lidhje

Një paisje e re për zemrën mund të shpëtojë shumë jetë njerëzish


Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se sëmundja e zemrës shkakton vdekjen e të paktën 17 milionë vetëve çdo vit dhe se do do të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në vendet në zhvillim. Por tani shpresat janë gjallëruar. Një paisje e re që mund të shpëtojë shumë jetë njerëzish po hidhet në treg.

78 vjeçari Riçard Stoui ka një pompë mekanike në kraharor që lejon qarkullimin e gjakut në gjithë trupin e tij. E vetmja provë për praninë e saj është një pako baterish dhe një kabëll korrenti pranë tij.

"Dy bateritë po ushqejnë kontrollorin dhe më pas pompën. Ndjesia është normale, sikur të mos kisha pompë fare".

Zoti Stoui është në vijën e parë të frontit të një revolucioni të kujdesit shëndetësor për pacientët e zemrës.

Dr. Lesli Miller e Qendrës Spitalore të Uashingtonit është përfshirë në përpjekjet klinike të pompave të zemrës, përfshirë një të miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve si paisje që mund të zëvendësojë zemrën e pacientëve që janë shumë të moshuar të merren në konsideratë për një transplant në zemër.

"Problemet e zemrës fillojnë të rriten mbi moshën 60 vjeçare kur shanset e transplantit të zemrës pakësohen, kështuqë kjo do të jetë një alternativë kryesore terapeutike për shumë pacientë në të ardhmen".

Pompat e zemrës më parë konsideroheshin një masë e përkohëshme, derisa të gjendej një dhurues. Por pompat e reja janë të vogla. Ato janë të lidhura direkt me zemrën dhe me një bateri jashtë trupit.

"Këto kabllo do të lidheshin dhe do të përçonin energjinë. Kjo do të vendosej në rripin e pantallonave. Dhe bateritë mund t'i vësh në një çantë të vogël, apo në ndonjë xhep xhakete".

Në raste sëmundjesh të rënda zemre, vetëm tetë për qind e pacientëve mund të mbijetojnë për dy vjet. Por në një studim që përfshin pompën HeartMate II, 58 për qind e pacientëve arritën të mbijetojnë aq gjatë. Zoti Stoui kujton se sa pak gjëra mund të bënte para se vendoste pompën.

"Rraskapitëse, vetëm pak mund të ecja pa pasur nevojë për pushim", thotë zoti Stoui.

"Ndryshimet në aftësitë e njerëzve për të lëvizur është një nga aspektet më të rëndësishme të kësaj teknologjie", thotë zonja Miller.

Pompat e zemrës nuk janë vetëm për të moshuarit. Ato përdoren nga adoleshentët, madje edhe foshnjat zemrat e të cilëve janë dëmtuar nga viruset. Studiuesit po i shohin këto pompa mekanike si mjete për ta lejuar zemrën të çlodhet dhe të marrë veten.

Sa për koston, Dr. Miller thotë se pacientët me pompë në zemër kalojnë më pak kohë në spital dhe kanë kosto më të ulët sesa pacientët me sëmundje të rënda zemre. //kk//

XS
SM
MD
LG