Lidhje

Bernd Fisher: Marrëdhëniet mes PD-së dhe PS-së më të vështira se kurrë më parë


Një studiues i njohur i historisë shqiptare thotë se Shqipëria ndodhet në një moment kritik për të ardhmen e saj dhe partitë kryesore politike duhet të kapërcejnë problemet mes tyre, pasi përndryshe rruga drejt Bashkimit Evropian do të ndërlikohej. Profesor Bernd Fisher i Universitetit të Indianës në Fort Uejn, vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por tha se vendet që e mbështetën këtë anëtarësim duket se kanë pësuar një farë zhgënjimi pas zhvillimeve politike të kohëve të fundit.

Zëri i Amerikës: Profesor Fisher, ju e keni studiuar Shqipërinë për një kohë të gjatë. Duke pasur parasysh periudha të ndryshme që ju keni studiuar, si edhe zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, si do ta përshkruanit situatën sot në Shqipëri?

Prof. Bernd Fisher: Mendoj se rezultatet janë të përziera. Është e qartë se ka pasur disa përparime me zgjedhjet e fundit, pavarësisht nga fakti që kishte disa probleme. Ato ishin një hap përpara si përsa i takon bashkëpunimit fillestar mes dy partive kryesore për ristrukturimin e sistemit. Mendoj se pati përparim të konsiderueshëm në drejtim të regjistrimit të votuesve. Por ka edhe një anë negative për zgjedhjet. Zhvillime të tjera pozitive përfshijnë disa raporte të organizatave ndërkombëtare, raporti i Komisionit Evropian në nëntor ishte pozitiv, raporti i fundit për klimën e biznesit ishte pozitiv, duke sugjeruar se Shqipëria ka lirinë më të madhe të biznesit në Ballkan. Megjithatë ka disa drejtime ku ende mbetet shumë për t'u përmirësuar, sidomos në aspektet politike.

Zëri i Amerikës: Shqipëria u bë anëtare e NATO-s vitin e kaluar. Gjithashtu qeveria ka thënë se ka luftuar korrupsionin dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë. Çfarë mendoni ju për këto zhvillime?

Prof. Bernd Fisher: Sigurisht që anëtarësimi në NATO është një arritje e madhe, shumë kritike në shumë nivele. Kjo tregon se shpresat janë të mëdha nga vendet e tjera të NATO-s, disa prej të cilave u përpoqën shumë për të bërë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë. Mendoj që që nga përmbysja e komunizmit është një nga arritjet më të rëndësishme për Shqipërinë. Megjithatë ka pasur një nivel zhgënjimi nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit ndërkombëtar, në kuptimin që kishte shpresa që anëtarësimi në NATO do të përshpejtonte procesin e reformave, që do të pakësonte praninë e korrupsionit, si në ekonomi, ashtu edhe në strukturën politike. Është e qartë që edhe në këtë drejtim mbetet ende shumë për t'u bërë, veçanërisht për konceptin e stabilitetit politik dhe shtetit ligjor.

Zëri i Amerikës: Ku i bazoni përfundime të tilla për pakënaqësinë e Shteteve të Bashkuara apo faktorëve të tjerë mbi ecurinë e reformave në Shqipëri?

Prof. Bernd Fischer: Kryesisht tek komentet e ambasadorit Uidhërs, i cili në javët dhe muajt e fundit është shprehur shumë qartë në komentet e tij lidhur me bojkotin e Parlamentit nga Partia Socialiste. Ambasadori Uidhërs herë pas here është akuzuar për përfshirje më të madhe në procesin politik të Shqipërisë, sesa ç'duhet të bëjë një ambasador. Megjithatë unë argumentoj se roli i tij është të mbështesë Shqipërinë dhe jo një qeveri të veçantë, të mbështesë interesat e Shqipërisë brenda strukturës euro-atlantike. Mendoj se ai ka kryer një rol të dobishëm në këtë drejtim. Është e qartë që ai flet në emër të Departamentit të Shtetit . Ka edhe aspekte të tjera, si për shembull raporti për të drejtat e njeriut i Departamentit të Shtetit që pritet të bëhet publik muajin e ardhshëm që unë parashikoj të ketë kritika për situatën politike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Si historian ju keni studiuar jo vetëm procesin historik përmes së cilit ka kaluar Shqipëria dhe shqiptarët, por gjithashtu edhe rolin qendror që kanë pasur figurat politike në Shqipëri në shekuj dhe vite. Në situatën aktuale si e shikoni rolin e figurave, udhëheqësve politikë në zhvillimet e Shqipërisë?

Prof: Bernd Fisher: Shqipëria, ashtu si edhe shtete të tjera të Ballkanit, në fund të shekullit të 19-të dhe shekullit të 20-të ka pasur vështirësi me konceptin e udhëheqësve autoritarë. Disa kanë arritur në nivelin e diktatorëve, disa të tjerë do t'i karakterizoja thjesht si autoritarë. Mendoj që ky vazhdon të jetë problem për politikën shqiptare sot, veçanërisht do të thoja kur flasim për natyrën e partive politike shqiptare. Mendoj se një nga problemet kryesore politike bashkëkohore, është thjesht mungesa e demokracisë brenda partive politike. Nëse realizohen ndryshime në këtë drejtim, do të shihnim ndryshime bazë në gjithë strukturën e politikës, ndoshta më shumë bashkëpunim mes dy partive kryesore politike, i cili duhet realizuar në mënyrë që demokracia të funksionojë siç duhet.

Zëri i Amerikës: Meqenëse po flasim për partitë politike dhe për protagonistët kryesorë të këtyre partive politike në Shqipëri, le të themi se figurat kryesore politike të këtyre partive shpesh fajësohen për mëkatet e politikës shqiptare. Sipas mendimit tuaj, cilat janë përgjegjësitë e protagonistëve sidomos të dy partive më të mëdha shqiptare. Kemi pasur zgjedhje vitin e kaluar dhe acarimet kanë vazhduar, kemi partinë kryesore opozitare që nuk merr pjesë në parlament. Cili është komenti juaj?

Prof. Bernd Fischer: Unë sigurisht mund të flas vetëm për perceptimet e mia për situatën, këtu nga Shtetet e Bashkuara. Mendoj se marrëdhëniet aktuale mes dy partive kryesore janë më të vështira se asnjëherë më parë. Jam veçanërisht i shqetësuar për të atë që nuk mund të cilësohet ndryshme përveçse gjuhë urrejtjeje nga të dyja partitë kryesore, sidomos kur bëhet fjalë për udhëheqjen e tyre. Që demokracia të funksionojë duhet të kesh një opozitë, përndryshe do të ishte vetëm një parti që krijon rregulla nga të cilat do të përfitonte ai institucion. Një nga elementët që po shohim aktualisht me legjislacionin e kohëve të fundit, është prirja për të forcuar pozitën e kryeministrit në krahasim me parlamentin. Nëse flasim për plane afatgjata, kjo nuk është pozitive, pasi ndërhyn me ndarjen tradicionale të pushtetit. Ky është një nga aspektet më negative të gjendjes së krijuar, të bojkotit. Ka edhe shumë pasoja të tjera, përfshirë faktin që qeevria e ka të pamundur të miratojë ligje të rëndësishme që kanë nevojë për më shumë se 50 për qind të votave për të kaluar në parlament, veçanërisht reformat e rëndësishme që Bashkimi Evropian i ka kërkuar Shqipërisë të miratojë për ta përmirësuar pozitën e Shqipërisë në përpjekjet e saj për të hyrë në Bashkimin Evropian. Ka shumë probleme të krijuara nga marrëdhëniet mes dy partive, përfshirë krizën aktuale politike.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni ju se janë detyrimet e shumicës në parlament, pra të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në situatën politike të krijuar, për të afruar partinë kryesore të opozitës dhe cila është përgjegjësia e partisë kryesore të opozitës. A ndihmon bojkoti për të zgjidhur diçka në situatën e krijuar?

Prof. Bernd Fisher: Nuk mendoj se bojkoti do të jetë efektiv. Besoj se kriza politike mund të zgjidhet vetëm nëse të dyja partitë kryesore politike bëjnë një kompromis. Më konkretisht unë mendoj se partia në pushtet, qeveria Berisha duhet të marrë seriozisht në konsideratë hapjen e kutive të votimit, rishqyrtimin përmes një komisioni parlamentar të zgjedhjeve të fundit dhe mendoj se Partia Socialiste duhet ta shqyrtojë me seriozitet t'i japë fund bojkotit dhe të hyjë në parlament. Bojkoti mund të kishte qenë efektiv për dy javët e para ndoshta, si gjest simbolik. E dimë që kryeministri Berisha, nuk para u përgjigjet këtyre lloj sinjaleve, por komuniteti ndërkombëtar mund të kishte reaguar dhe me siguri do ta kishte lënë Partinë Socialiste moralisht në një pozitë të favorshme. Tani bojkoti vetëm po shkakton dëme.

Por duhet të theksoj se duhet të ketë përpjekje nga të dyja partitë për të arritur kompromis. Një gjë të tillë e sugjeroi së fundmi Këshilli i Evropës dhe mendoj se është diçka e arsyeshme. Nuk mendoj se është e mundur që një parti të presë që partia tjetër të tërhiqte nga pozicioni i vet, kështuqë kompromisi nga të dyja palët besoj se do të ishte hapi i parë për të zgjidhur këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Pra ju po sugjeroni që partia në pushtet të vendosë për hapjen e kutive në mënyrë që Partia Socialiste të hyjnë në parlament? Sepse në fakt opozita këtë gjë po kërkon...

Prof. Bernd Fischer: Nuk besoj se do të funksionojë kështu, pasi do të shihej si tërheqje e një partie para kërkesave të tjetrës. Mendoj se mënyra më efektive në këtë rast do të ishte që të dyja palët të bënin lëshime në të njëjtën kohë, që të mos duket se njëra po dorëzohet para tjetrës. Do të ishte mirë që udhëheqësit e dy partive të takoheshin dhe të punonin për një zgjidhje të mundshme, ku të dyja palët të deklarojnë njëkohësisht për ngritjen e një komisioni parlamentar, hapjen e kutive dhe hyrjen e deputetëve socialistë në parlament.

Mendoj se Shqipëria është në një pikë kritike kthese, veçanërisht marrëdhënia me Bashkimin Evropian. Deklaratat e muajit të fundit të Bashkimit Evropian kanë qenë të forta dhe mendoj se thirrjet prapa skenave janë edhe më të forta, duke pasur parasysh që Bashkimi Evropian ka prirjen t'i paraqesë më të zbutura kërkesat e tij në publik. Pra gjendja për Shqipërinë është kritike. Nëse ky problem nuk zgjidhet shumë shpejt, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian do të ndërlikohet seriozisht. Do të doja të përmendja që më parë fola për disa nga zhvillimet pozitive përsa i takon zgjedhjeve dhe klimës së biznesit. Por duhet t'u kushtojmë vëmendje edhe disa prej zhvillimeve negative, si për shembull ai i Transparency International, ku Shqipëria kishte rënë besoj 10 pikë. Kjo është shumë shqetësuese. Po ashtu edhe raporti i Freedom House, ku është e rëndësishme të theksojmë se fqinjët e Shqipërisë po ecin përpara përsa i takon procesit të demokratizimit dhe luftës kundër korrupsionit. Mali i Zi ka kaluar në kategorinë e vendeve të lira, Kosova ka kaluar nga grupi i vendeve jo të lira në atë pjesërisht të lira. Ndërsa Shqipëria nuk ka pasur lëvizje. Mendoj se ngecja do të thotë në thelb një hap prapa. Pra kjo është një periudhë kritike dhe kërkon pjekuri nga ana e udhëheqësve politikë të Shqipërisë por fatkeqësisht ajo nuk është shfaqur, të paktën dy muajt e fundit.

Profesor Fisher, autor i librave "Shqipëria në luftë", "Mbreti Zog dhe Lufta për Qëndrueshmëri në Shqipëri", po shkruan aktualisht një biografi të Enver Hoxhës, si edhe po kontribuon për dy libra të tjerë: një për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe një tjetër për hebrenjtë në Shqipëri, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. //kk//


XS
SM
MD
LG