Lidhje

SHBA: Ekonomia u rrit me ritme të shpejtë muajt e fundit


Ekonomia amerikane u rrit me ritmin më të shpejtë prej gjashtë vjetësh në muajt e fundit të vitit 2009.

Raporti i sotëm i Departamentit të Tregëtisë thotë se prodhimi i brendshëm bruto u rrit me një përqindje vjetore 5.7 për qind në tremujorin e katërt.

Kjo shifër është dy herë më e lartë sesa rritja e tremujorit të mëparshëm dhe me një ritëm më të shpejtë sesa kishin parashikuar ekspertët.

Ndërkohë dje senati amerikan konfirmoi Ben Bernankin për një mandat të dytë si kreu i bankës qendrore amerikane, me 70 vota pro dhe 30 kundër.

Presidenti Barak Obama tha se është i kënaqur nga konfirmimi, dhe e vlerësoi zotin Bernanki për një drejtim të matur dhe të vendosur gjatë periudhës më të vështirë të krizës.

Kritikët e zotit Bernanki thonë se ai nuk bëri sa ç’duhej për të parandaluar dështimin e bankave dhe krizën financiare që pasoi. Por përkrahësit e tij thonë se pa drejtimin e zotit Bernanki, kriza financiare do të kishte qenë më e rëndë.

XS
SM
MD
LG