Lidhje

Zyrtarë nga Kosova në SHBA për luftën kundër trafikimit


Kosova cilësohet nga Departamenti amerikan i Shtetit si burim, vend tranzit dhe destinacion i trafikimit të grave dhe fëmijëve. Shumica e personave të trafikuar janë nga Evropa Lindore ndërsa ndërsa viktimat nga Kosova trafikohen në vendet e Evropës si dhe në Maqedoni dhe Shqipëri. Tre zyrtarë nga Kosova ndodhen në Shtetet e Bashkuara për t’u njohur me përvojën amerikane në luftën kundër trafikimit të qenieve njerzore.

Dy anëtarë të kuvendit të Kosovës, Mimoza Ahmetaj dhe Armend Zemaj si dhe drejtuesja e një organizate joqeveritare, Valbona Çitaku, ndodhen në Shtetet e Bashkuara për konsultime me zyrtarë amerikanë për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Trafikimi është një problem në Kosovë por ai vështirësohet më tepër nga fakti se institucionet e Kosovës janë ende të reja. Kjo përbën problem, thotë deputetja Mimoza Ahmetaj.

“E para ne jemi duke e ndërtuar shtetin dhe na mungojnë shumë nga institucionet po të krahasohemi me institucionet që ekzistojnë këtu në Amerikë dhe që tashmë kanë një traditë të madhe. Në rrugën e ndërtimit të këtyre institucioneve sigurisht që diku do të çalojmë dhe do të ngecim. Kjo do të vazhdojë deri sa të harmonizohemi tërësisht si një shtet.”


Deputeti Armend Zemaj, tha se Kosova ka nevojë për ndihmë edhe në një pikëpamje praktike dhe pala amerikane është treguar e gatshme ta japë këtë ndihmë.

“Jam shumë i kënaqur sepse institucionet amerikane, në këtë rast edhe Departamenti i Shtetit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, janë të njohura shumë me jetën dhe zhvillimin institucional të Kosovës. Kjo na bën që edhe ne të jemi më të angazhuar në të ardhmen dhe na bën shumë më të kënaqur se një vend si Shtetet e Bashkuara na ofrojnë një ndihmë të ngrohtë, na ofrojnë respektin, që në të ardhmen të bashkëpunojmë në mënyrë shumë më të drejtpërdrejtë në luftimin e kësaj dukurie negative.”

Valbona Çitaku, drejtoreshë ekzekutive e strehimores Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve, thotë se standardet e strehimoreve në Kosovë nuk janë shumë larg vendeve perëndimore, por sigurimi i fondeve është problem.

“Gjatë këtij programi do të kemi dhe një vizitë në një strehimore e cila ofron shërbime për viktimat dhe të them të drejtën të drejtën e pres me padurim këtë vizitë që të shoh standardet në të cilat ajo punon. Ato standarde dhe shembuyj që mundemi të bartim në Kosovë, pse jo. Në mënyrë që ne t’i ofrojmë me standarde sa më të larta shërbimet për viktimat e trafikimit. Më herët kam pasur rastin të kem vizitorë nga Amerika në strehimoren tonë dhe sipas tyre standardet tona nuk janë shumë larg atyre në vendet e zhvilluara mirëpo dallimi është se ne çdo vit ndeshemi me problemin e mbledhjes së fondeve.”

Tre zyrtarët, të cilët vizituan disa departamente të qeverisë federale në Uashington, thonë se megjithë vështirësitë, njerëzit në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm se trafikimi i qenieve njerëzore është një problem që duhet luftuar me vendosmëri.

XS
SM
MD
LG