Lidhje

Analistët mbi përpjekjet anti-terroriste të z. Obama


Ndërsa presidenti Obama mbushi një vit në detyrë, ekspertë të sigurisë i kanë dhënë atij vlerësime të larta për përkushtimin ndaj vlerave amerikane ndërkohë që përpiqet të rrisë mbështetjen e botës myslimane dhe merr masa për parandalimin e sulmeve terroriste. Por analistët thonë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të presin që të ndreqin të metat, pasi të jenë zbuluar si pasojë e një komploti terrorist.

“Ndërkohë që pasioni dhe ambicjet politike shpesh e bëjnë të vështirë të mbash vëmendjen tek përparësitë para nesh, të mos harrojmë se jemi në luftë,” tha Presidenti Obama.

Kjo luftë zhvillohet kundër komploteve të ngjashme me atë që, sipas autoriteteve, u përpoq të vinte në jetë një shtetas nigerian në një avion amerikan që udhëtonte drejt Detroitit në ditën e Krishtlindjes. Presidenti Obama u zotua të përdorë çdo element në dorë të shtetit për të mbrojtur amerikanët.

Disa ekspertë të sigurisë thonë se Presidenti Obama nuk e ka krahasuar ndonjëherë luftën kundër terrorizmit me një luftë të zakonshme ndërmjet dy vendeve, ndërkohë që ka marrë një numër masash për të parandaluar kërcënimin:

“Njerëzit nuk e kuptojnë se Presidenti Obama ka intensifikuar realisht përpjekjet kundër al-Kaidës në Afganistan dhe Pakistan. Goditjet e avionëve të telekomanduar janë intensifikuar gjatë administratës së tij. Dhe siç e dimë të gjithë, pas shumë diskutimesh, ai po shton trupat në Afganistan.”

Presidenti Obama po bën diçka që nuk e bëri paraardhësi i tij, thotë analisti i Institutit Aspen, Clark Irwin:

“Ai po drejton një fushatë për të siguruar mbështetjen e komunitetit mysliman në Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë.”

Ish-nënpresidenti amerikan Dick Cheney e akuzon zotin Obama se pretendon se Amerika nuk është në luftë me rrjetet terroriste. Por Jacob Shapiro i Universitetit Princeton thotë se përdorimi i termit “luftë” do t’u shërbente interesave të terroristëve:

“Ky term do të ishte tamam në përshtatje me retorikën që po përpiqen të përcjellin terroristët ndaj popullatës që duan të tërheqin. Ata duan të prezantohen si një grup individësh të patrembur që luftojnë kundër superfuqive që duan të shtypin shoqëritë e tyre. Kjo gjithashtu ndihmon përpjekjet e tyre për të krijuar frikë dhe panik në popullatën tonë.”

Paul Pilar i Universitetit Georgetown thotë se nëse nuk do ta quajë luftë, atëherë administrata Obama duhet ta specifikojë natyrën e saktë të kësaj beteje. Analisti, ish-punonjës i CIA-s, thotë se duhet të ketë një debat të hapur lidhur me çmimin që janë të gatshëm të paguajnë amerikanët për sigurinë kundër terrorizmit.

“Ndoshta amerikanët janë të gatshëm të sakrifikojnë privacinë, apo të drejtat e individit, ndoshta janë pro masave më të rrepta për kontrollin e pasagjerëve. Ndoshta do të jetë një kosto në para, ndoshta sakrifica jete për operacionet ushtarake jashtë vendit, si në Afganistan.”

Michael German i Bashkimit Amerikan për të Drejtat Civile thotë se publiku amerikan nuk e kupton plotësisht se çfarë rrezikohet në luftën kundër terrorizmit:

“Administrata duhet t’i përgjigjet menjëherë kësaj pyetjeje, dhe në fakt është me një vit vonesë.”

Por zoti German thotë se administrata Obama duhet vlerësuar për përkushtimin ndaj vlerave amerikane, megjithë luftën kundër terrorizmit.

“Politikat dhe praktikat tona pasqyrojnë vlerat amerikane – tolerancën, transparencën, respektin për shtetin ligjor dhe procesin e rregullt gjyqësor. Këto parime do të garantojnë forcën tonë dhe do të na mbrojnë më mirë se çdo përpjekje për të eliminuar ata elementë që i konsiderojmë si keqbërës.”

Clark Irwin i Institutit Aspen është i të njëjtit mendim. Por ai thotë se komploti i fundit terrorist tregon qartë se administrata Obama duhet të bëjë më shumë për të luftuar terrorizmin. Zyrtarët e sigurisë duhet të zbulojnë komplotet e reja:

“Një ndër gjërat që duhet të fillojmë të bëjmë është të parashikojmë metoda të reja që mund të përdoren në komplote të ardhshme, në mënyrë që të mbyllim të çarat, para se këto të çara t’i shfrytëzojnë armiqtë tanë.”

Ekspertët e sigurisë pohojnë se, duke pasur parasysh numrin e objekteve strategjike dhe mënyrat e pafundme që mund të përdoren, siguria nuk mund të garantohet kurrë me 100 për qind. Por ata shtojnë se kjo nuk do të thotë që administrata Obama mund të tregohet tolerante apo të ndalë përpjekjet në këtë drejtim. (ze)

XS
SM
MD
LG