Problemeve të shumta të medias shqiptare që lidhen me lirinë, pavarësinë dhe financat e pamjaftueshme, u është shtuar dukshëm kohët e fundit edhe politizimi i shtypit dhe televizioneve. Redaktorë pohojnë se pafuqia ekonomike i ka lënë redaksitë e medias në mëshirën e pasioneve politike të partive që kërkojnë pa ndërprerje të jenë patjetër në krye të edicioneve të lajmeve të ditës. Disa analistë që intervistoi korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli, ishin të mendimit se kjo gjendje kritike mund të rregullohet nga vetë njerëzit e medias.