Lidhje

Studim i ri mbi trurin hedh dritë tek përdorimi i gjuhës


Shkencëtarët thonë se një studim i ri për trurin hedh dritë tek të folurit dhe mënyra e artikulimit të fjalëve. Studimi i kryer në San Diego, Boston dhe Nju Jork po i ndihmon shkencëtarët të kuptojnë një pjesë të rëndësishme të trurit, të njohur si Broka.

39-vjeçarja Denise Harris po i ndihmon shkencëtarët për këtë studim. Ajo vuan nga epilepsia dhe ekspertët në qendrën mjekësore të Universitetit të Nju Jorkut po monitorojnë krizat e saj të konvulsionit, me shpresën që të kryejnë një operacion për zbutjen e tyre.

"Gjatë gjithë jetës kam qenë me mjekime dhe tani ilaçet nuk më bëjnë më efekt. Vazhdoj të kem konvulsione, por bazuar tek studimi, kur mjekët të heqin atë pjesë të trurit prej nga ata mendojne se vijnë konvulsionet, besohet se ato do të pakësohen".

Ndërsa Harris ndodhet në spital, ajo po i ndihmon shkencëtarët të mësojnë se si truri e kupton dhe e përdor gjuhën.

Rezultatet e punës, të bazuara tek studimet për trurin e Denisës dhe pacientëve të tjerë, u publikuan në gazetën Science.

Duke përdorur një proces të quajtur Elektrofiziologjia Inter-kafkore, provat klinike në Boston dhe në Nju Jork zbuluan se një pjesë e vogël e trurit e njohur si zona Broca, llogarit tre funksione të ndryshme të gjuhës, të gjitha brenda një çereku të sekondës. E para merret me njohjen e fjalës, e dyta me të kuptuarit e kontekstit të fjalës në fjali dhe e treta na lejon të artikuojmë fjalën përmes të folurit.

Një nga autorët e studimit, Eric Halgren i shkollës së mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë të San Diegos, thotë se kjo pjesë e trurit luan rol qendror tek gjuha.

"Ne mundëm të gjejmë se brenda një distance prej 1 centimetri, kishte zona të ndryshme të trurit që kryejnë disa procese njëkohësisht, por shumicën e kohës kryejnë procedura të ndryshme, në interval kohe të ndryshme, që të gjitha brenda një zone të vogël".

Një tjetër autor i studimit, Ned Sahin, doctor i shkencave në universitetin e Harvardit dhe i shkollës mjekësore të San Diegos, thotë se shkencëtarët kohët e fundit po mendojnë se duhet ndryshuar të kuptuarit tradicional të trurit.

"Thuajse çdo libër fillestar shkollor, si dhe specialistët që praktikojnë në fushën e patologjisë së të folurit, psh, thonë se ka një ndarje detyrash dhe të punës mes dy pjesëve të ndryshme të trurit, zona e Broka-s në pjesën e përparme të trurit dhe ajo Wernicke, në pjesën e pasme. Brocas kryen funksionin e prodhimin të të folurit ndërsa Wernicke kryen atë të të kuptuarit".

Ky studim tregon se zona e Brocas kryen më tepër funksione nga sa mendonin shkencëtarët. Studjuesi Sahin thotë se shkencëtarët po kuptojnë përherë e më tepër se pjesë individuale të trurit kanë funskione të shumëfishta.

Erik Halgren thotë se megjithë shtimin e njohurive, shumë prej tyre lidhur me trurin, mbeten ende të panjohura.

"Si arrin një copë mishi, që nuk ndryshon shumë nga një muskul dhe që i ngjan një tasi me supë, të prodhojë dhe realizojë të menduarit? Ky është një mister i plotë".

Profesori thotë se studimet për trurin po hedhin dritë tek një pjesë e së panjohurës së madhe, dhe mundet që një ditë ky mister të zgjidhet. (ze)

XS
SM
MD
LG