Lidhje

Presidenti Obama, thirrje politikanëve të lenë mënjanë grindjet


Presidenti Barak Obama u bëri thirrje politikanëve të lenë mënjanë grindjet abstrakte dhe debatet ideologjike dhe të përqendrohen te zgjidhja e problemeve afatgjata të vendit. Ai i bëri komentet në Mëngjesin e Lutjeve, një ceremoni e përvitshme tradicionale që e ka zanafillën rreth 60 vjet më parë. Ashtu si çdo vit, në ceremoninë e sivjetme të zhvilluar në Hotelin Hilton të Uashingtonit morën pjesë personalitete të larta amerikane dhe nga vende të tjera.

Mëngjesi i Lutjeve është një rast që të ftuar nga të gjitha segmentet dhe besimet e ndryshme të shoqërisë amerikane të mblidhen së bashku për të folur për bashkëpunim dhe për veprim të përbashkët pavarësisht nga bindjet e ndryshme politike dhe fetare. Presidenti Barak Obama iu drejtua politikanëve me një thirrje për të lënë pas mosmarrëveshjet dhe për të bashkëpunuar:

“Për fat të keq, kjo frymë shpesh mungon kur ne përpiqemi të zgjidhim problemet afatgjata por jo më pak të thella me të cilat përballet vendi ynë dhe bota. Duhet të ndodhin ngjarje të bujshme si 11 shtatori, një uragan si Katrina, një tërmet apo një cunami që ne të na shkundë dhe të na nxjerrë nga vetkënaqësia,” tha ai.

Presidenti Obama la të kuptohet se shpesh politikanët bëhen të pandjeshëm ndaj vuajtjeve të qytetarit të thjeshtë:

“Ne zhytemi në grindje abstrakte apo në debate ideologjike e gara për pushtet… Ka raste kur duket sikur ne nuk arrijmë dot të dëgjojmë njëri-tjetrin, për të patur një debat serioz dhe të qytetëruar. Kjo mbjell përçarje e mosbesim mes qytetarëve tanë dhe helmon opinionin publik, duke i lënë secilës palë pak hapësirë për të negociuar me tjetrën. Kjo e bën politikën një sport ku njëra palë duhet të ketë patjetër gjithmonë të drejtë ose duhet ta ketë gjithmonë gabim ndërkohë që asnjëra palë nuk ka monopolin e së vërtetës.”


Në fjalimin e saj, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton kujtoi Mëngjesin e Lutjeve të vitit 1994, kur folësja kryesore ishte Nënë Tereza, e cila iu lut asaj të hapnin së bashku në Uashington një strehë për foshnjet e braktisura.

"Ne jemi mësuar ta përfytyrojmë Zotin si një burrë me mjekër të bardhë. Por atë ditë ndjeva sikur kisha marrë një urdhër, dhe mesazhi më vinte jo nga kjo grua shtatvogël, por nga dikush shumë më larg. Na u desh të luftonim me burokracinë sepse puna ishte më e vështirë se sa ne mendonim. Nënë Tereza e provoi veten të ishte lobistja më e palodhur që kam parë ndonjëherë. Më telefonte nga India, nga Vjetnami, më shkruante letra deri sa streha u hap dhe ajo erdhi nga Kalkuta për të marrë pjesë në inaugurimin e saj."


Në mëngjesin e lutjeve merrnin pjesë edhe personalitete nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

XS
SM
MD
LG