Lidhje

Të reja mjekësore: Pompa e zemrës dhe skanimi i trurit


Pompa e Zemrës

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se sëmundja e zemrës shkakton vdekjen e të paktën 17 milionë vetëve çdo vit dhe se do do të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në vendet në zhvillim. Por tani shpresat janë gjallëruar. Një paisje e re që mund të shpëtojë shumë jetë njerëzish po hidhet në treg.

78 vjeçari Riçard Stoui ka një pompë mekanike në kraharor që lejon qarkullimin e gjakut në gjithë trupin e tij. E vetmja provë për praninë e saj është një pako baterish dhe një kabëll korrenti pranë tij.

“Dy bateritë po ushqejnë kontrollorin dhe më pas pompën. Ndjesia është normale, sikur të mos kisha pompë fare”.

Zoti Stoui është në vijën e parë të frontit të një revolucioni të kujdesit shëndetësor për pacientët e zemrës.

Dr. Leslie Miller në Qendrën Spitalore të Uashingtonit është përfshirë në përpjekje klinike të pompave të zemrës, përfshirë një të miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve si paisje që mund të zëvendësojë zemrën e pacientëve që janë shumë të moshuar të merren në konsideratë për një transplant në zemër.

“Problemet e zemrës fillojnë të rriten mbi moshën 60 vjeçare kur shanset e transplantit të zemrës pakësohen, kështuqë kjo do të jetë një alternativë kryesore terapeutike për shumë pacientë në të ardhmen”.

Pompat e zemrës më parë konsideroheshin një masë e përkohëshme, derisa të gjendej një dhurues. Por pompat e reja janë të vogla. Ato janë të lidhura direkt me zemrën dhe me një bateri jashtë trupit.

“Këto kabllo do të lidheshin dhe do të përçonin energjinë. Kjo do të vendosej në rripin e pantallonave. Dhe bateritë mund t’i vësh në një çantë të vogël, apo në ndonjë xhep xhakete”.

Në raste sëmundjesh të rënda zemre, vetëm tetë për qind e pacientëve mund të mbijetojnë për dy vjet. Por në një studim që përfshin pompën HeartMate II, 58 për qind e pacientëve arritën të mbijetojnë aq gjatë. Zoti Stoui kujton se sa pak gjëra mund të bënte para se vendoste pompën.

“Rraskapitëse, vetëm pak mund të ecja pa pasur nevojë për pushim”.

Ndryshimet në aftësitë e njerëzve për të lëvizur është një nga aspektet më të rëndësishme të kësaj teknologjie. Pompat e zemrës nuk janë vetëm për të moshuarit. Ato përdoren nga adoleshentët, madje edhe foshnjat zemrat e të cilëve janë dëmtuar nga viruset. Studiuesit po i shohin këto pompa mekanike si mjete për ta lejuar zemrën të çlodhet dhe të marrë veten.

Sa për koston, Dr. Miller thotë se pacientët me pompë në zemër kalojnë më pak kohë në spital dhe kanë kosto më të ulët sesa pacientët me sëmundje të rënda zemre.

Skanimi i Trurit

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka përdorur teknologjinë e fundit për të studiuar mendjen e 54 pacientëve të konsideruar në gjendje vegjetative, duke arritur në përfundimin se në fakt disa prej tyre ishin të vetëdijshëm. Një zbulim i tillë ka një rëndësi të madhe pasi ndryshon mënyrën sesi konsiderohen këta pacientë, hap rrugën e komunikimit me ta, por nga ana tjetër shtron pyetje etike për vendimet për vazhdimin ose jo të kujdesit shëndetësor për ta.

Ky është një zbulim i rëndësishëm duke pasur parasysh se specialistët më parë kishin arritur në përfundimin që pacientët në gjendje vegjetative, nuk janë aspak të ndërgjegjshëm për botën përreth.

54 burrat dhe gratë u vendosën në skaner për trurin, ndërsa iu jepeshin udhëzime, si për shembull: imagjino sikur po luan tenis, sikur po kërkon nëpër shtëpi, nga njëra dhomë tek tjetra. Për shumë nga pacientët, skaneri nuk tregoi asgjë.

Por në një zhvillim befasues, për disa prej tyre skaneri tregoi aktivitet të trurit. Këta pacientë, siç treguan qartë imazhet, po jetonin të heshtur brenda trupit të tyre me mendje aktive. Një burrë madje arriti t’u përgjigjej shumë qartë me “po” ose “jo” pyetjeve për jetën e tij para traumës duke aktivizuar pjesë të ndryshme të trurit.

Studiuesit thanë se ky zbulim mund të japë një perspektivë të thellë për vetëdijen njerëzore, një nga misteret shkencore më të mëdha, dhe të sjellë si rezultat një diagnostikim më të saktë të dëmtimeve të trurit.

Po ashtu zbulimi mund të çojë në gjetjen e rrugëve për të komunikuar me këta pacientë.

Rezultatet e zbulimit shtruan pyetje për pacientë të cilët janë në gjendje vegjetative dhe për të cilët të afërmit marrin vendimin për ta vazhduar ose jo kujdesin për ta. Një nga këto raste ishte ai i Terri Skiavos, e cila ishte në një gjendje vegjetative dhe debati brenda familjes së të cilës për të vazhduar ose kujdesit shëndetësor për të ndezi një debat kombëtar për çështjen e së drejtës për t’i dhënë fund jetës. Studiuesit thonë se gjithsesi shumë pacientë në këtë gjendje janë të pavetëdijshëm.

Rreth 20 mijë amerikanë janë në një gjendje vegjetative, çka do të thotë se ata janë gjallë dhe zgjuar por pa ndonjë ndjesi vetëdijeje. //ad//

XS
SM
MD
LG