Lidhje

Mustafaj: Negociatat me Presidentin pa kushte

  • Arben Xhixho
  • Uashington

Mustafaj: Negociatat me Presidentin pa kushte

Mustafaj: Negociatat me Presidentin pa kushte

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj tha se pozita dhe opozita në Shqipëri nuk duhet të venë parakushte kur është fjala për zgjidhjen e ngërçit politik me anë të institucionit të Presidentit. Ndërsa duke folur për marrëveshjen detare me Greqinë, zoti Mustafaj thotë se qeveria do të përfitojë nga kjo mundësi e re që i dha Gjykata Kushtetuese për të negociuar një marrëveshje më të mirë. Me zotin Mustafaj bisedoi kolegu Arben Xhixho

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, këto ditë në Shqipëri janë shtuar përpjekjet për fillimin e negociatave me ndërmjetësimin e presidentit, për një kompromis lidhur me ngërçin politik në të cilin e gjen veten Shqipëria që pas zgjedhjeve. Duke qenë se palët i kanë të ngurtësuara qëndrimet e tyre tek hapja ose mos hapja e kutive të votimit, mendoni se ka pika të përbashkëta, ku palët mund të bazohen për t’i çuar më tej negociatat...?

Besnik Mustafaj: Së pari unë nisem nga parimi se në qoftë se bëhet fjalë për politikë, politika gjithmonë ka rrugëzgjidhje. Vetëm në mungesë të politikës prodhohen ngërçet, pra unë pretendoj që edhe kryeministri Berisha dhe zoti Rama sidomos, të bëjnë politikë, sepse politika i ka mundësitë gjithmonë të pashtershme prandaj është politika në demokraci. Kështu që në këtë kuptim, unë nuk jam pesimist për mundësitë në vetvete, shpesh herë bëhem pesimist për mundësitë që i japin protagonistët, dhe kjo është një gjë që duhet mbajtur mirë parasysh.

Zëri i Amerikës: Si do t’a vlerësonit ju rolin e presidentit në këtë drejtim..? A është i vonuar ai në ndërhyrjen e tij, apo është pritur momenti i duhur...?

Besnik Mustafaj: E kam dëgjuar këtë, dhe këtë vërejtje e bëri edhe ish presidenti Mejdani, u çudita madje, si një shfaqje e vonuar gadishmërie nga presidenti Topi. Presidenti Topi ka shfaqur gadishmërinë e tij për të luajtur rolin e ndërmjetësit dhe të bashkuesit për të dy forcat politike të paktën ka dy muaj, dhe në atë kohë të gjithë i bënë vrejtje pse bëhesh si të thuash “ krushk në një vend ku nuk ka dasëm”. Në këtë kuptim nuk mendoj se është i vonuar, mendoj se e ka shfaqur në kohë vullnetin e tij, tani po krijohen rrethanat, ku bëhet i domosdoshëm roli i tij; do më vinte mirë që të dëgjohej presidenti Topi në momentin që ai shfaqi dëshirën të merrej seriozisht vullneti i tij, sepse do të ishte fituar kohë, por shqetësimi im kryeosr në këtë moment, është se unë shoh që tek presidenti Topi, të dy palët, qoftë Berisha me mazhorancën dhe sidomos Rama, shkojnë me kushte. Unë mendoj se presidenti Topi është në pozitë të vështirë në këto rrethana, sepse ai gjendet i angazhuar për të zgjidhur një krizë, përballë dy protagonistësh të cilët i vënë kushte. Nuk shkohet tek presidenti me kushte! Presidenti duhet të përcaktojë qartë nëse, është në gjendje të ofrojë një strategji zgjidhjeje dhe mbi bazën e strategjisë që ofron presidenti duhet të diskutojnë...! Në qoftë se njëra palë shkon me idenë “...gjithçka veç hapjes së kutive” dhe pala tjetër me idenë “...gjithçka fillon me hapjen e kutive”, nuk e kuptoj se ku do të jetë roli i presidentit. Tek presidenti nuk duhet shkuar me kushte.

Zëri i Amerikës: Ndalemi tek një çështje tjetër e rëndësishme për Shqipërinë, siç është marrëveshja detare me Greqinë, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Greqia është një prej shteteve të rëndësishme në marrëdhëniet e jashtme të Shqipërisë. Ju keni qenë Ministër i Punëve të Jashtme, si mendoni ju, sa ndikim do të ketë rrëzimi i kësaj marrëveshjeje nga Gjykata Kushtetuese, në marrrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë?

Besnik Mustafaj: Normalisht, nëse besojmë që Greqia është një shtet demokratik, rrëzimi i kësaj marrëveshje nuk do të ketë asnjë ndikim negativ, sepse është rrëzuar nga gjykata, nuk është rrëzuar nga një forcë politike, nuk u rrëzua nga qeveria, nuk u rrëzua nga ndonjë institucion i dorës së dytë. Në demokraci vetëm gjykata nuk vihet në dyshim! Deklarim i ministrit të jashtëm plotësues të Greqisë, në momentin e parë ishte se ata nuk japin gjykime mbi gjykatat, pra në këtë kuptim unë nuk shoh arsye parimore, arsye demokratike, arsye dhe të vullnetit të mirë, që kjo gjë të ndikojë në marrëdhëniet midis dy palëve.

Zëri i Amerikës: Si e shpjegoni ju faktin që për një marrëveshje të tillë të rëndësishme, mund të themi strategjike për Shqipërinë, siç është çështja e kufijve, nuk u bë një debat thelbësor përpara se të arrihej në miratimin e saj në parlament. Po marr si paralelizëm rastin amerikan, nëse në SHBA ka ngjarje të kësaj natyre, marrëveshje të mëdha, çështje të rëndësishme, fillimisht këto gjëra debatohen në Kongres, ku dalin pyetje dhe shqetësime nga më të ndryshmet... Në Shqipëri a u ndoq një rrugë e tillë institucionale, apo parlamenti luajti një rol shumë të vogël në këtë drejtim?

Besnik Mustafaj: Kjo është një marrëveshje që ka specifikat e veta, dhe unë nuk mendoj se mund të bëhej një debat publik dhe as në parlament në periudhën e parë; debati do të bëhej kur marrëveshja do të vinte për miratim, sepse ka një aspekt të madh që ëshë politiko – teknik, që është negocimi në terren, apo negocimi për aspektet faktike të ndarjes së kufirit dhe pastaj marrëveshja vjen në parlament dhe parlamenti normalisht, që i bën transparente dhe të hapura debatet dhe marrëveshja i nënshtrohet një analize, që nuk është më teknike apo thjesht diplomatike. Në këtë rast opinioni publik do të kishte mundësi, siç pati mundësi, të mësojë shumë gjëra dhe u hap debati. Pra, nga pikpamja proçeduriale unë mendoj se nuk ka qenë ky difekti. Gjykata Kushtetuese, në një qëndrim ekzemplar, ku 9 anëtarët e saj votuan kundër, si një marrëveshje që nuk përputhet me Kushtetutën, pra ata nuk hynë në detajet teknike, apo aspektet e tjera. Unë jam i besimit se në përgjithësi çdo marrëveshje, po të rinegociohet, bëhet më e mirë, d.m.th. nuk ka marrëveshje të përsosur dhe mundësia e rinegocimit është një shans që kjo marrëveshje të jetë më e mirë për të dyja palët, edhe për Shqipërinë dhe për Greqinë, pra qeveria do të përfitojë nga kjo mundësi e re që i dha Gjykata Kushtetuese. Së dyti, unë shpresoj se qeveria do të zabatojë rregullat, që nga mandatimi nga ana e presidentit të Republikës, për një negocim të tillë, e deri tek aspektet teknike, në mënyrë që të kemi një përputhshmëri të plotë me Kushtetutën, sepse nuk është normale, që ne të arrijmë në një marrëveshje të tillë aq të rëndësishme, pa qenë në përputhje me Kushtetutën.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, kohët e fundit ju keni thënë se po shkëputeni përkohësisht nga politika...Megjithatë unë dua t’ju pyes për funksionimin e Partisë Demokratike. U bënë zgjedhjet, u zgjodh Këshilli i saj Kombëtar, por ende nuk është zgjedhur kryesia e saj. Edhe më parë ka patur kritika për funksionimin e Partisë Demokratike. Cili është mendimi juaj...?

Besnik Mustafaj: Përpara këtij Kongresi, kritikat janë bërë për funksionimin e Partisë Demokratike, duke iu referuar statutit, sepse kritikat duhet t’i mbështesësh diku, pra të kesh një dokumet bazë që të ballafaqosh dokumentin me realitetin, pra në statutin që ekzistonte deri në këtë Kongres, kishte një kalendar, një ritmik të caktuar mbledhjesh dhe proçedurash të ndryshme që përcaktonin, qoftë Këshillin Kombëtar, qoftë Kryesinë, qoftë institucionet e tjera të brendshme të partisë. Në statutin e ri nuk ka më një kalendar të tillë, pra që unë sot të them, pse nuk po mblidhet Këshilli Kombëtar për të zgjedhur Kryesinë, duhet të them që është shkelur neni përkatës i statutit, por statuti tani është formalizuar fare dhe është bërë si një lloj rregulloreje që për mendimin tim nuk i shërben fuqizimit të Partisë Demokratike. Por ky është një statut i miratuar nga Kongresi dhe unë nuk kam të drejtë t’i kundrëvihem.

XS
SM
MD
LG