Lidhje

Nexhat Peshkëpia, një zemër atdhetare në mërgim


Sot mbushen 40 vjet nga vdekja e një prej figurave më të shquara të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Prof. Nexhat Peshkëpisë. “Ndarja e tij nga jeta na lë ne të gjithëve më të varfër, pasi kampionët e vërtetë të lirisë nuk mund të zëvendësohen lehtë”, u shpreh në atë kohë në deklaratën e saj Asambleja e Vendeve të Robëruara Evropiane. Si shembull të rallë të atdhedashurisë dhe hero të demokracisë e kujtojnë atë edhe miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Në përvjetorin e 40-të vdekjes së Prof. Peshkëpisë, kolegia Isabela Çoçoli përgatiti këtë pro-memorie.


Nexhat Peshkëpia njihet si anëtar aktiv i Komitetit Shqipëria e Lirë me seli në New York, organizim i mbështetur financiarisht nga Shtetet e Bashkuara dhe i njohur si përfaqësues legjitim i krahut anti-komunist të shoqërisë shqiptare. Profesor Peshkëpia shërbeu edhe si përfaqësues i Shqipërisë në Komitetin e Përgjithshëm të Asamblesë së Vendeve të Robëruara Evropiane që synonte përmbysjen e komunizmit.

Pas mbarimit të shkollës së mesme dhe të lartë në Itali dhe Belgjikë, ai u kthye në Shqipëri ku u emërua mësues i matematikës dhe fizikës në Shkollën Teknike të Tiranës. Me pushtimin italian të Shqipërisë në vitin 1939, Prof. Peshkëpia iu bashkua forcave të rrezistencës dhe ishte një prej organizatorëve të Ballit Kombëtar dhe një prej ideologëve të programit të kësaj partie. Me daljen e lëvizjes komuniste në skenën politike shqiptare që ra nën ndikimin e komunistëve jugosllavë, Nexhat Peshkëpia iu bashkua edhe luftës kundër komunizmit dhe ishte redaktor i shtypit ilegal anti komunist dhe anti fashist.

Prof. Peshkëpia e la Shqipërinë në vitin 1944 kur komunistët morrën pushtetin. Së pari ai shkoi në Itali dhe në vitin 1958 u vendos përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku iu bashkua Komitetit Shqipëria e Lirë, të kryesuar nga Prof. Rexhep Krasniqi. Ai ishte anëtar ekzekutiv i Komitetit dhe redektor i gazetës së tij, “Shqiptari i Lirë”.

Ish kolegu i Zërit të Amerikës, Idriz Lamaj, një nga bashkëpunëtorët më të rinj të Profesor Peshkëpisë kujton:

“Me Prof. Peshkëpinë kam patur nderin të punoj tri vjet, kam qënë bashkëpunëtor dhe ndihmës i tij në përgatitjen e gazetës ‘Shqiptari i Lirë’, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë. Kam punuar me të vitet e fundit kur ka qënë i lodhur, por i paepur. Prof. Nexhat Peshkëpia ka gëzuar një respekt mbarë intelektual dhe në grupet politike shqiptare, sepse megjithëse ka patur mendimet e pikpamjet e veta dhe ka qënë një nga hartuesit e Dekalogut të Ballit Kombëtar në atdhe, në mërgim i ka shikuar gjerët mbi nivel partiak. Duke patur një vizion të gjerë, një kulturë të gjithanëshme, një modesti të pashoqe. Me vdekjen e profesorit, jo vetëm Komiteti Shqipëria e Lirë dhe miqtë e tij të ngushtë, por në përgjithësi kauza kombëtare shqiptare në atë kohë humbi një personalitet të nderuar”.

Në Shqipëri, Prof. Peshkopia la të shoqen dhe fëmijët e tij të vegjël Adnanin dhe Teftën që u trajtuan ashpër nga regjimi komunist. Zoti Adnan Peshkëpia përshkruan ato vite të vështira për familjen e tij.

“Nënën time e internuan nja dy herë, një herë në Vlorë dhe një herë në Ballsh. Vetë kam punuar si montaror i linjave të tensionit të lartë dhe 13 vjet kam punuar nën tokë, në minierë si montator dhe si elektriçist”.

Nexhat Peshkëpia ishte një intelektual me shumë talente që debutoi edhe në fushën e letrave shqipe me botime të letërsisë artistike dhe me studime për jetën dhe kulturën shqiptare, mes të cilave “Fan Noli si poet dhe si poet-përkthyes” dhe “Një zemër në mërgim”. Pikërisht në këtë vepër mistike të Peshkëpisë, siç e kanë cilësuar kritikët letrarë në Shqipëri dhe në diasporë “Një zemër në mërgim”, gjen lidhjen emocionale me të atin edhe Adnan Peshkopia, i cili ishte vetëm 10 vjeç kur Prof. Peshkëpia u detyrua të largohej nga Shqipëria.

“Babai tim u mor me letërsi atje, përgjithësisht me gazetari sepse ishte kryeredaktor i gazetës ‘Shqiptari i Lirë’ që ishte organi i Komitetit Shqipëria e Lirë, dhe veç asaj shkruante poezi dhe tregime. Një nga ato është ‘Dielli i Shqipërisë’që në Kosovë jepet edhe në shkollat fillore dhe shkollat e mesme. Gjithashtu ka bërë edhe disa poezi shumë të ndjeshme, transparente për nënën, për Shqipërinë, për vendin e vet. Një nga ato është qershia, thotë: ‘...Ti që vjen nga vendi im ... nga një vend i mjerë ... kumbulla dhe qershia ... çelin si përherë?’ ”

Me rastin e vdekjes së Nexhat Peshkëpisë, Asambleja e Vendeve të Robëruara Evropiane shprehu keqardhjen e saj të thellë për këtë humbje me një deklaratë të posaçme:

“Nexhat Peshkëpia ishte një anëtar i çmuar i grupit të disidentëve nga Evropa Lindore dhe Qendore në mërgim, të dedikuar për çështjen e lirisë dhe vetvendosjes. Ngrohtësia e tij ndihmoi shumë njerëz në momente dëshpërimi kohësh të vështira. Ndarja e tij nga jeta na lë ne të gjithëve më të varfër, pasi kampionët e vërtetë të lirisë nuk mund të zëvendësohen lehtë”.

Zoti Idriz Lamaj thotë se Prof. Peshkëpia i përket një plejade intelektualësh të Evropës Lindore dhe Qendrore, të cilët sakrifikuan pa masë për demokracinë në vendet e tyre të sunduara nga diktaturat komuniste dhe me përmbysjen e kumunizmit janë vlerësuar si heronj të kombeve të tyre. Zoti Lamaj ka bindjen se një nderim i tillë i takon edhe Prof. Peshkëpisë, një njohje në nivel këmbëtar i kontributit të tij kundër komunizmit.

“Prof. Nexhat Peshkëpia meriton një nderim në shkallë kombëtare. Me folë për veprimtarinë e Nexhat Peshkëpisë në mërgim duhen orë të tëra. Ndoshta më së miri do të ishte një monografi, por një monografi e hartuar prej një studjuesi të mirëfilltë."

Nexhat Peshkëpia u lind të Vlorë më 15 mars 1908 dhe vdiq më 8 shkurt 1970 në Dearborn të shtetit Miçigan.

XS
SM
MD
LG