Lidhje

Uashingtoni përpiqet t'i kthehet normalitetit



Pjesa veri-lindore e Shteteve të Bashkuara po përpiqet sot ta marrë veten pas një tjetër stuhie brenda një jave, ndërkohë që meteorologët njoftojnë se trysnia e ulët atmosferike po largohet nga bregdeti atlantik. Stuhia krijoi kushte të rrezikshme që nga Uashingtoni e deri në Nju Jork, duke paralizuar shërbimet në të gjithë rajonin dhe duke detyruar ekipet e pastrimit të rrugëve të braktisin punën. Megjithatë sot, meteorologët e hoqën statusin e stuhisë dimërore për segmentin Nju Jork – Uashington.

Aeroportet e Nju Jorkut, Filadelfias, Balitmorës dhe Uashingtonit janë rihapur por zyrtarët kanë paralajmëruar pasagjerët se mund të ketë anulime dhe vonesa. Linjat ajrore kanë anuluar qindra udhëtime me avion.

Qeveria federale ka qenë e mbylluar që nga e premtja e kaluar si rezultat i motit të keq me një kosto në produktivitet prej 100 milionë dollarësh në ditë. Trashësia e borës që ra dje ishte 53 centimetra, ndërsa rajoni ishte ende nën peshën e borës që ra në fundjavë e cila arriti në 93 centimetra.


XS
SM
MD
LG