Lidhje

Ukrainë: Timoshenko planifikon sfidë ligjore për zgjedhjet



Në Ukrainë, ndihmës të kandidates për presidente, Julia Timoshenko, thonë se ajo po planifikon një sfidë ligjore për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të së dielës, që treguan për fitoren e udhëheqësit të opozitës, Viktor Janukoviç. Aleatët e zonjës Timoshenko thanë sot se ajo nuk do ta pranojë humbjen, deri në fillimin e procesit të apelimit dhe të jenë numëruar votat në qendrat e debatueshme të votimit. Kur thuajse të gjitha votat janë numëruar, Komisioni i Zgjedhjeve tha se zonja Timoshenko, kryeministrja aktuale e Ukrainës, i humbi zgjedhjet ndaj rivalit të saj, zotit Janukoviç, me më tepër se tre për qind të votave.

Njoftimet për sfidat ligjore erdhën disa orë pasi gazeta Ukrainskaja Pravda citoi zonjën Timoshenko të ketë thënë mbrëmë se ajo nuk do ta pranojë asnjëherë fitoren e zotit Janukoviç.

Ndryshe nga zgjedhje të tjera presidenciale në Ukrainë, vëzhguesit ndërkombëtarë i vlerësuan zgjedhjet si të drejta dhe të lira. Zgjedhjet i vlerësuan edhe SHBA. Ambasada amerikane në Ukrainë tha sot se zgjedhjet ishin një tjetër hap në konsolidimin e demokracisë në Ukrainë. Përkrahësit e zotit Janukoviç u mblodhën për të dytën ditë sot para zyrave të Komisonit të Zgjedhjeve në Kiev, për të mbështetur udhëheqësin e Partisë së Rajoneve.//rd//


XS
SM
MD
LG